Peja Nënshkruan Projekt 25-Milionësh

Komuna e Pejës ka nënshkruar marrëveshjen për projektin e trajtimit të ujërave të zeza, vlera e të cilit është 25 milionë euro.

Marrëveshja është nënshkruar në zyrën e kryetarit të Pejës edhe nga përfaqësuesit e Qeverisë gjermane, zvicerane dhe të Kosovës, dhe kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Sipas Gazmend Muhaxherit, projekti është më i madhi në 35 vitet e fundit në komunën të cilën ai e drejton.

“Është projekti më i madh që realizohet në komunën e Pejës ndoshta në 35 vitet e fundit. Do ketë ndikim shumë të madh në ruajtjen e ambientit. Me ketë projekt lumi i qytetit kur kalon në Klinë do jetë i pastër”, tha Muhaxheri.

Kryetari Muhaxheri tha se Komuna e Pejës do kontribuojë me 3 milionë euro në këtë projekt, realizimi i të cilit, sipas tij, pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe të përfundojë brenda dy viteve.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha së nënshkrimi i projektit për trajtimin e ujërave të zeza është një hap i mirë për sjelljen e investitorëve edhe në nivelin lokal.

“Mendoj që ky është një hap i mirë që po i sjellim të gjithë donatorët së bashku të vijnë edhe në nivelin lokal në komunën e Pejës me implementimin e këtij projekti”, u shpreh Hoti.

Christoph Tiskens nga Qeveria gjermane tha se për realizimin e këtij projekti janë ndarë miliona euro.  “Projekti në Pejë është një prej projekteve me të mëdha në vend dhe qyteti do ketë një fabrikë të ujërave të zeza dhe rehabilitimin e kolektorëve të ujërave të zeza”, tha Tiskens.

Ndërsa, Patrick Etienne, drejtor i Zyrës për Bashkëpunim me Kosovën i Qeverisë zvicerane, tha se projekti do të përmirësojë jetën e qytetarëve të Pejës.

“Kam arsye të jem i kënaqur sepse ky projekt përmirëson jetën e qytetarëve të Pejës, dhe po ashtu ka efekte në ekonomi dhe shëndetësi”, tha ai.