Peja, Klina e Istogu nënshkruajnë marrëveshje për angazhim më të madh të të rinjve në sport

Komunat e Pejës, Klinës dhe Istogut kanë nënshkruar marrëveshje për përfshirjen e të rinjve dhe masivizimin e sportit në shkolla së bashku me Qendrën Kosovare për Avokim dhe Zhvillim.

Në takimin e përbashkët mes kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri, atij të Klinës Zenun Elezaj dhe nënkryetarit të Istogut, Lulzim Blakaj dhe drejtorit të KADC, Shkumbin Spahija, është theksuar nevoja dhe domosdoshmëria e fuqizimit dhe angazhimit më të madh të të rinjve në këto komuna përmes “Sportit në shkolla dhe sportit për të gjithë”.

“Kryetarët e komunave shprehën mbështetjen e tyre për sportin në shkolla si një faktor shumë i rëndësishëm i cili kontribuon në zhvillimin mendor dhe fizik të rinjve. Ata u treguan përkrahës të pa rezervë të angazhimit të rinjve në disiplina të ndryshme sportive dhe për të gjithë pa dallim, që e ardhmja e tyre të jetë e shkëlqyer”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kjo marrëveshje do të kontribuojë në krijimin e një kulture sportive te të rinjtë për të zhvilluar shprehi të shëndetshme të jetesës dhe për të shmangur shprehitë e këqija siç janë përdorimi i drogës, alkoolit dhe duhanit.