Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri | Foto: Atdhe Mulla

Sefaja e Kryetarit me 'Kuletën e Komunës'

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me kabinetin e tij shpenzuan 46 mijë euro për dreka, darka, udhëtime dhe telefonata në 2015-ën.

Krejt këto shpenzime janë bërë brenda një viti, edhe pse Haziri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 kishte premtuar se nëse do ta qeverisë sërish Gjilanin, do të sillte disiplinë buxhetore në këtë komunë, meqë sipas tij ajo ishte institucioni i vetëm në Kosovë me më së shumti borxhe.

Haziri qeverisi Komunën e Gjilanit edhe nga viti 2000 deri në 2004, kur u bë ministër i Pushtetit Lokal në kohën kur Kosovën e drejtonte misioni i OKB-së UNMIK në bashkëpunim me institucionet e atëhershme kosovare.

Kryetari i Gjilanit thotë se këto shpenzime prej 46 mijë eurove nuk janë vetëm të qeverisjes së tij, por edhe të asaj të PDK-së që udhëhiqej nga Qemajl Mustafa. Mustafa drejtoi këtë komunë për dy mandate nga 2007-ta deri më 2013.

“Nuk ka të bëjë vetëm me fatura që ne kemi shpenzuar, ka të bëjë edhe me fatura të vjetra. Edhe vitin e ardhshëm do të pasqyrohen faturat e vjetra. Ne dëshmojmë në Zyrën e Buxhetit dhe Auditimit që edhe më tutje ne vazhdojmë të paguajmë fatura aeroplani dhe fatura të ndryshme,” tha Haziri.

Gazeta JNK gjatë hulumtimeve për debatin Jeta në Komunë siguroi dokumente të vitit 2015 ku shihen të gjitha shpenzimet që ka bërë kryetari Haziri së bashku me kabinetin e tij.

Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla
Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Në bazë tëkëtyre dokumenteve del se vetëm për dreka e darka zyrtare Komuna e Gjilanit ka shpenzuar vitin e kaluar 16 mijë e 593 euro.

Por as këto shpenzime nuk i pranon Haziri. Ai gjatë debatit në Jeta në Komunë, të transmetuar të dielën, tha se me të marrë detyrën e kryetarit të Gjilanit, ka gjetur 170 mijë euro shpenzime të ushqimeve të bëra nga qeverisja e kaluar e PDK-së.

“ Është pak më shumë se Bloomberg-u në New York që ka shpenzuar për reprezentacion,” tha Haziri.

Michael Bloomberg ishte kryetari i 108 i New York-ut që mori detyrën në vitin 2002 dhe e la në 2013-ën.

Ish-kryetari Qemajl Mustafa e pranon se i la borxhe Hazirit kur flet për Gazetën JNK, por thotë se ato nuk duhet të përdoren si alibi për dështim.

“Dua të them që ky njeri është thirrë aq pamoralshëm dhe i ka ekzagjerue aq shumë këto obligime me një qëllim të vetëm- që të ndërtojë alibi për dështimin e tij gjatë qeverisjes. Disa njerëz që nuk mund të krahasohen me punët e mira të tjetrit, së paku përpiqen ta pengojnë e ta diskreditojnë,” thotë Mustafa për njeriun nga i cili humbi në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash të 2013-ës.

Asamblistë të Komunës së Gjilanit (dhe një foto e Ilir Metës në asamble) | Foto: Atdhe Mulla
Asamblistë të Komunës së Gjilanit (dhe një fotografi e Ilir Metës në asamble) | Foto: Atdhe Mulla

Dreka e darka pune jashtë Gjilanit

Por sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta JNK, shihet mirë që pagesa e shpenzimeve është bërë vetëm për kohën e qeverisjes së Lutfi Hazirit.

Shuma më e lartë e shpenzuar është në vlerëprej 2 mijë e 540 euro për pije dhe ushqim në njërën nga mbrëmjet humanitare të organizuara nga Komuna e Gjilanit, si dhe  2 mijë e 520 euro për pije dhe paragjella në Manifestimin “Flaka e Janarit”.

Bazuar në këto dokumente, Haziri ka shpenzuar edhe 1 mijë e 786 euro për drekë dhe darkë për grupin punues duke mos specifikuar se për cilin grup bëhet fjalë.

Dokumentet tregojnë që pjesëmarrësit në këtë grup punues kanë qenë në Restorantin “Sharri” në Prizren.

Në këto dokumente po ashtu vërehet se destinacioni i drekave dhe darkave të mysafirëve, stafit dhe pjesëmarrësve të Komunës së Gjilanit nuk ishte vetëm Gjilani, por edhe Prizreni, Prishtina, Çagllavica dhe Kamenica.

Qyteti i Gjilanit me flamuj t ë Kosovës | Foto: Atdhe Mulla
Momente nga qyteti i Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Shpenzimet telefonike 1 mijë euro për një muaj

Shpenzime  të larta të kësaj komune janë bërë edhe për telefonata.

Gjatë vitit 2015 në të dhënat e siguruara nga Gazeta JNK shihet se kryetari Haziri dhe kabineti i tij kanë shpenzuar 4 mijë 550 euro në thirrje telefonike.

Madje në këto dokumente figuron se vetëm për muajin janar të vitit 2015 janë shpenzuar një mijë euro për telefonin roaming të “Valës”.

Kryetari Lutfi Haziri mohoi se ka shpenzuar një mijë euro për roaming, duke thënë se ai merr pako mujore prej 20 eurosh për thirrjet telefonike që duhet të bëjë.

“Unë ju sfidoj të shkojmë dhe t’i shohim faturat, emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit. Nëse është telefoni im i cili është publik në ato fatura, unë jap përgjegjësi,” tha Haziri.

Drejtori i Buxhetit të Komunës së Gjilanit, Zijadin Maliqi, tha për Jeta në Komunë se pagesa prej 1 mijë eurove që figuron si shpenzim roaming në faturat e vitit 2015 u takon pagesave që po bëhen për borxhet e mbetura të ish-kryetarit Mustafa.

“ Kemi deri në qershor nga 1 mijë euro t’i paguajmë borxhet e roamingut të ish- kryetarit (Qemajl Mustafa) për arsye se ‘Vala’ është kërcënuar se do të ndalë roamingun kryetarit të tanishëm nëse nuk bëhet ajo pagesë,” tha Maliqi.

Ish-kryetari Qemajl Mustafa mohoi se ka shpenzuar tepër për telefonata.

“Unë kam shpenzue fare kujdesshëm edhe telefon, edhe karburant, edhe ushqim. Komuna ka pasë aktivitet normal, po si komunë e madhe natyrisht edhe ka shpenzue për me kry shumë punë. A keni pa ndonjëherë që ndonjë argat në arë punon mirë, nëse nuk e ke ushqye mirë. Jo kurrë! I sigurt jam që telefoni im ka shpenzue te mesatarja, ose nën mesataren e shpenzimit të kryetarëve të komunave të Kosovës,” tha Mustafa.

Ish-kryetari Qemajl Mustafa i mohoi shpërdorimet | Foto: KALLXO.com
Ish-kryetari Qemajl Mustafa i mohoi shpërdorimet | Foto: KALLXO.com

Lutfi Haziri vetëm në “bisht”  të aeroplanit

Dokumentet që i ka Gazeta JNK, zbulojnë se Lutfi Haziri dhe kabineti i tij udhëtuan shumë drejt shteteve evropiane dhe ShBA-ve gjatë 2015-ës. Të gjitha udhëtimet kanë vlerën 24 mijë e 875 euro.

Destinacionet më të shpeshta për Hazirin gjatë vitit 2015 kanë qenë drejt  Austrisë dhe Amerikës.

“Të gjitha llojet e udhëtimit që i bën Kuvendi Komunal kategorizohen në një vijë buxhetore dhe mbulohen nga zyra ime. Natyrisht se unë kam bërë udhëtime dhe do të vazhdoj të bëj udhëtime që Gjilanit t’ia ruaj partnerët dhe t’ia zhvilloj partneritetin,” tha Haziri.

Për opozitën gjilanase udhëtimet e shpeshta të  Lutfi Hazirit nuk janë befasi.

Bujar Nevzati, asamblist i PDK-së në Gjilan flet me ironi kur përmend udhëtimet e kryetarit Haziri.

“Ky kryetar i joni as nuk ha, as nuk pi, ky nuk fol në telefon, ky nuk udhëton, kujt po i tregon ky kryetar. Qytetarët e Gjilanit e dinë sa ka shpenzuar kryetari,” tha Nevzati.

Kritika për shpenzimet komunale dha edhe asamblisti nga “Vetëvendosja”, Fehmi Sylejmani.

“Sipas shënimeve që i kemi nga Drejtoria për Financa disa nga shpenzimet e kryetarit për dreka, darka dhe telefona arrijnë shumën 33 mijë euro. Me 33 mijë euro ka mundur komuna t’i japë 65 bursa nga 50 euro për 10 muaj për studentë, e ne nuk kemi këtë vit asnjë bursë për studentë,” tha Sylejmani.

Kryetari i Komunës së Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla
Lutfi Haziri ka mohuar se ai dhe kabineti i tij janë treguar dorëlëshuar gjatë 2015-s | Foto: Atdhe Mulla

Lutfi Haziri mori “timonin” e Komunës së Gjilanit me një borxh prej 9.6 milionë eurosh. Prej kësaj shume, 7 milionë qytetarët i kanë borxh komunës nga mospagesë të tatimit në pronë, ndërsa 2.6 milionë të tjera kjo komunë u ka borxh kompanive private që punuan në projektet komunale.

Ish-kryetari Qemajl Mustafa thotë se borxhi nuk është kaq i madh.

“Lutfi Haziri gjatë gjithë fushatës dhe disa muaj pas fitores ka deklarue se komuna ka borxhe në vlerën prej 9.6 milionë eurove. Dikur vonë e pat thënë që po, është e vërtetë që komuna ka obligime rreth 4 milionë euro,” tha Mustafa.

Ai edhe nga borxhi që përmend thotë se një pjesë e tij është një obligim dyvjeçar i komunës për projektet që nisën në 2013-ën dhe duhej të kryheshin një vit më pas kur Mustafa ia dorëzoi detyrën Hazirit.

“Komuna ka mbet në obligime…në obligime për shkak të furnizimit të domosdoshëm me mallra, me shërbime dhe për investimet e nevojshme kapitale. Edhe 1.4 milionë euro kanë qenë obligime dyvjeçare për shpronësime, kështu që gjithsej kanë qenë 3.7 milionë,” tha Mustafa.

Atij nuk i pëlqen puna e pasardhësit në krye të qytetit.

“Pra sot, si rezultat i punës së mirë të Lutës e strukturës së tij, kemi persona në komunë nën akuzë nga prokuroria. E kam pas porositë Lutën nga fillimi i mandatit që të mos i vendosë në qeverisje personat e inkriminuar dhe i kam përmend emra konkretë. Ai të njëjtit i bëri drejtora,” tha Mustafa.

Në shkurt të këtij viti u ngrit aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj Valon Shefkiut, drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Gjilanit dhe tre zyrtarëve tjerë komunalë.

Mustafa thotë se Lutfi Haziri me mend është në Prishtinë e me trup në Gjilan.

“Ai nuk e njeh procesin dhe nuk do me mësue. Nuk i intereson komuna. Ai fizikisht është në Gjilan, po me mend është në Prishtinë dhe merret me LDK-në dhe qeverisjen në qendër,” tha Mustafa për Hazirin.

Haziri përveç kryetar i Gjilanit, është edhe nënkryetar i LDK-së, ndërsa në qeverisjen e kaluar PDK-LDK në vitet 2007-2010, për disa muaj ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Reagim i Kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri pas publikimit të artikullit

19 mars 2016

“Për hirë të informimit të drejt të opinionit publik, dëshiroj të demantoj në disa çështje shkrimin e Gazetajnk, të cilat konsideroj se janë të paqëndrueshme.

Unë e kam thënë edhe në debatin që u zhvillua në Komunë, po e përsëris prap, se shpenzimet për dreka dhe darka janë minimale, karshi punës së madhe që po bëhet në Gjilan. Unë kam vazhduar t’i paguaj borxhet e ish-qeverisjes, përveç tjerash, edhe në dreka dhe darka ushqim dhe pije, edhe atë mijëra euro.

Vetëm në vitin 2014, Komuna ka paguar fatura për dreka, darka, ushqim dhe pije të ish-pushtetit në vlerë prej 50 mijë eurosh, derisa edhe 80 mijë të tjera mbesin borxh në këtë kategori.

Nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2013, kur ish-kryetari ka shpenzuar hiç më pak se 170 mijë euro në dreka dhe darka, apo më shumë se kryetari i Neë York, shpenzimet në këtë aspekt gjatë dy viteve të qeverisjes, janë 90 herë më të vogla.

Edhe tek shpenzimet për telefon mobil nuk qëndron fare konstatimi se janë shpenzuar 1000 euro për një muaj nga ana ime. Kjo shumë është paguar si borxh i ish-kryetarit. Pra, me të ardhur në krye të Gjilanit, nga shpenzimet e ish-kryetarit në telefon kam trashëguar borxh në vlerë prej 6595 euro, ndërkaq i kemi paguar mbi 3500 euro, në tri faza. (Shih dokumentin nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa).

Po e ritheksoj se unë kam pako mujore për thirrje telefonike në vlerë prej 20 euro në muaj dhe asnjë cent më shumë nuk e shpenzoj sepse fatmirësisht sot kemi edhe mundësi tjera alternatyive të komunikimit.  

Tek udhëtimet, unë kam udhëtuar jashtë vendit dhe këtë do të vazhdoj ta bëjë për të mirën e qytetarëve të Gjilanit. Këto udhëtime kanë krijuar partneritete me qendrat e mëdha europiane dhe këtë vit po i sjellin Gjilanit mbi 25 milionë euro investime në projekte infrastrukturore.

Po e ritheskoj, se ne jemi komuna më e disiplinuar fiskale në Kosovë. Ky nuk është konstatimi i yni, por i Ministrisë së Financave.  Ne do ta vazhdojmë edhe më tutje me dietë edhe më të ashpër buxhetore në shpenzime. Të gjithë po na kanë lakmi. Përveç dikush nga qarqe opozitare në Gjilan, i cili s’ka arritur ka kaloj as Llabjanin me autoritet” 

Zyra për media e Komunës së Gjilanit.