Shpyllëzimi është problem serioz për vendet në zhvillim si Kosova | Foto: Pixabay

Politikat e BE-së për Energjinë Kërcënojnë Degradimin e Mjedisit në Kosovë

Nga Kristen Chick, Politico EU

Përpjekjet e Kosovës për të arritur standardet e BE-së për energjinë po e detyrojnë një nga vendet më të varfra në Evropë që të mbyllin dhe të rehabilitojnë termocentralet e vjetruara, çka mund të rrisë çmimet e energjisë elektrike si dhe t’i detyrojë qytetarët me të ardhura të ulëta që të përdorin pyjet si burim energjie.

Kosova është anëtare e Komunitetit të Energjisë, i cili zgjeron tregun e brendshëm energjetik të Bashkimit Evropian në Ballkan. Por arritja e këtyre standardeve përmban kosto shumë të larta financiare dhe mjedisore.

Vendi mbështetet në një çift termocentralesh të vjetra me linjit të cilat gjenerojnë 98 për qind të rrymës që prodhohet, por furnizimi bie nën nevojat për rrymë dhe ndërprerjet janë të zakonshme. Për të qenë në përputhje me standardet mjedisore të BE-së, Kosova do të dekomisionojë (nxjerrë jashtë funksioni) termocentralin më të vjetër, një nga burimet më të këqija të ndotjes në Evropë, dhe të rehabilitojë termocentralin e dytë.

Qeveria ka propozuar të ndërtojë një termocentral të tretë për përmbushur nevojat. Planifikon që të rrisë burimet e rinovueshme, dhe sipas rregullave të BE-së, Kosovës do t’i duhet gjithashtu të ndërpresë subvencionet e tërthorta, ku përdoruesit industrialë dhe biznesorë subvencionojnë konsumatorët. Kjo do të sjellë rritjen e çmimeve të rrymës për familjarët.

Ekspertët parashikojnë që çdo rritje çmimi do të sjellë rritje të kërkesës për dru, të cilin kosovarët e përdorin si një burim i lirë energjie për ngrohje dhe gatim. Por çdo rritje e prerjes së drurëve do të kishte pasoja serioze.

“Pyjet e Kosovës po rrezikohen të shndërrohen në një burim të parinovueshëm”, tha Alicia English, e cila më parë ka drejtuar Qendrën për Energji dhe Burime Natyrore në Universitetin Amerikan të Kosovës.

Termocentralet e Kosovës janë ndër më ndotëset në Evropë | Foto: KALLXO.com
Termocentralet e Kosovës janë ndër më ndotëset në Evropë | Foto: KALLXO.com

Pyje dhe pemë

Rreth 44.7 për qind e territorit të Kosovës është i mbuluar nga pyje, sipas një inventari të vitit 2012, sipas të cilit vëllimi i rritjes së re dhe ai i prerjeve është pak a shumë i njëjtë. Megjithatë, në shumicën e Evropës më shumë pemë mbillen sesa priten, duke i rritur pyjet me kalimin e kohës.

“Kosova ka normën më të lartë vjetore të prerjeve në Evropë”, thotë studimi. English tha se raporti i nënvlerëson shumë prerjet vjetore.

Kosova mund të shpyllëzohet në më pak se 50 vjet, apo edhe në më pak se 20 në skenarin më të keq, sipas English. “Nëse kërkesa [për dru] rritet nga çmimet e ngritura të rrymës, atëherë mund të ndodhë shumë më shpejt”.

Qeveria ndodhet në një pozicion të vështirë sepse çmimet më të larta supozohet të shtyjnë drejt eficiencës më të madhe. Por varfëria në Kosovë mund të ketë efektin e kundërt.

“Nëse duam të përmirësojmë sektorin tonë të energjisë dhe të arrijmë standardet e energjisë, dhe standardet mjedisore gjithashtu, duhet të rrisim çmimet”, tha Luan Morina, drejtor i departamentit të energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Ndërsa Kosova ka një çmim të rrymës ndër më të ulëtit në Evropën Lindore, shumë nuk mund ta përballojnë atë në një vend kur norma e papunësisë është të paktën 35 për qind dhe norma e varfërisë është rreth 30 për qind.

Kosova ka një Prodhim të Brendshëm Bruto (GDP) për frymë prej vetëm 3,989 USD në vit, ndër më të ulëtit në Evropë. Rreth 88 për qind e familjeve përdorin dru për t’i ngrohur shtëpitë dhe banesat, sipas censusit të vitit 2011.

Si rrjedhojë e varësisë nga druri për ngrohje, konsumi familjar i lëndëve drusore si burim energjie është afërsisht 1 milion metër kub në vit mbi normën e qëndrueshme të prerjeve në pyjet e Kosovës, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Shpyllëzimi është ndër problemet kryesore mjedisore në Kosovë | Foto: WIkimedia
Shpyllëzimi është ndër problemet kryesore mjedisore në Kosovë | Foto: WIkimedia

“Vëllimi i prerjeve të paligjshme është shumë i lartë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyejve”, thuhet në raportin e progresit të vitit 2014 të Komisionit Evropian për Kosovën.

Rreth 90 për qind e sigurimit të drurit në Kosovë ndodh në mënyrë të paligjshme, si nga njerëzit që presin dru për zjarr për përdorim personal, apo nga operacionet më të mëdha të prerjeve të paligjshme.

Aleksandar Nikolovski, këshilltar i lartë teknik në projektin e FAO-s që mbështet zbatimin e politikave dhe strategjisë për pylltarinë në Kosovë, tha se pyjet vendore mund t’i mbijetojnë mbishfrytëzimit për një periudhë të shkurtër. Por një rritje e prerjeve do t’i degradojë më tej sipërfaqet tashmë të dëmtuara pyjore, sipas tij.

Mbishfrytëzimi i vazhdueshëm mund të shkaktojë shpyllëzim dhe erozion (rrëshqitje dherash), çka mund të ketë efekte të rënda edhe mbi bujqësinë.

Tahir Ahmeti, drejtor i departamentit të pylltarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e mohoi që erozioni është problem në Kosovë. Por një raport nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tregon se diçka e tillë po ndodh.

Nëse Kosovës fillojnë t’i mbarojnë pyjet, do t’i duhet të fillojë importimin e lëndëve drusore për djegie, çka do të rrisë çmimet dhe me gjasa do t’i detyrojë edhe më shumë familje që të djegin linjitin ndotës dhe toksik për ngrohje.

Rritja e kërkesës për dru është “vërtet shqetësuese për ne”, tha Ahmeti, pro ia këmbënguli se situata nuk do të përkeqësohet, duke përmendur përpjekje si planet për të mbjellë me pemë 29,000 hektarë brenda 10 vjetësh, edukimin e konsumatorëve për eficiencën energjetike dhe përpjekjeve për të frenuar prerjet e paligjshme.

Foto nga prerjet e paligjshme e pyjeve në Kosovë, raportuar në KALLXO.com
Foto nga prerjet e paligjshme të pyjeve në Kosovë, raportuar në KALLXO.com

Energjitë e pastra

Ndërsa konsumi familjar i drurit është problemi më i madh, diskutimi mbi një sistemin rajonal të ngrohjes në Gjakovë, nëse duhet të jetë nga djegia e derivateve apo e biomasës, mundet gjithashtu të rrisë rrezikun mbi pyjet.

Morina tha se impianti parashihet të vihet në punë nga mbetjet e vreshtarisë dhe ato pyjore, dhe se përllogaritjet tregojnë se do të ketë mjaftueshëm lëndë për djegie. Por Nikolovski dhe English ngrenë dyshime nëse ka mjaftueshëm nga këto lëndë brenda një distance të arsyeshme për t’u transportuar, dhe se mbetjet mund të rezultojnë aq të vështira dhe të kushtueshme për t’u mbledhur sa impianti mund të përfundojë duke djegur dru.

Qeveria po eksploron mundësitë për ndërtimin e dy centraleve të vegjël që do të djegin biomasë, një pjesë e vogël nga synimi i saj për të arritur cakun e burime të rinovueshme energjetike në masën e 25 për qind të prodhimit total të energjisë së përdorur deri në vitin 2020.

Nikolovski renditi një sërë ndryshimesh që mund të ulin shfrytëzimin e pyjeve, si heqjen e TVSH-së për drurin me eficiencë të lartë energjetike apo stufave që djegin dru të kompresuar apo biomasë.

Gjithashtu, ai përmendi uljen e prerjeve të pakontrolluara, rregullimin e tregut të lëndës drusore për djegie, dhe investimin në masa për eficiencë energjetike, siç është izolimi termik i ambienteve familjare.

Pavarësisht pasojave të mundshme shkatërruese të mbishfrytëzimit të vazhdueshëm të drurit, ka pak vëmendje publike mbi këtë problem. Sipas English, diskutimet për energjinë në Kosovë shpesh përqendrohen mbi infrastrukturën, si termocentralet e reja, pa marrë parasysh sesi ndryshimet do të prekin konsumatorët.

“Ne flasim për këtë çështje të nivelit makro, por harrojmë se kush është konsumatori fundor dhe sesi do të reagojë ndaj ndryshimeve”, tha ajo. “Gjëja më e madhe nuk kuptohet si duhet është që familjet janë të ndjeshme ndaj çmimit të rrymës, dhe kanë alternativa për llojin e burimeve të energjisë që janë në gjendje të përdorin”.