Kryeministri Mustafa shpalli gjendje gatishmërie nëntorin e kaluar dhe njësitë speciale u shfaqën kudo në Kosovë | Foto: KALLXO.com

‘Ofrojuni Xhihadistëve Kosovarë Rehabilitim për të Luftuar Ekstremizmin’

Shumë pak dihej për luftëtarët xhihadistë kosovarë deri në verën e vitit 2014, kur shërbimet e sigurimit arrestuan papritur dhjetëra terroristë të dyshuar, përfshirë edhe disa imamë. Që prej asaj kohe, janë bastisur më shumë se 100 vendndodhje në të gjithë vendin.

Pak njerëz ishin në dijeni për numrin e shqiptarëve etnikë të Kosovës që besohej se luftonin me Shtetin Islamik, ISIS-in apo me Al Nusran e Al Kaedës në Siri dhe Irak. Nëntorin e kaluar qeveria njoftoi se rreth 300 kosovarë luftonin për grupet xhihadiste ose jetonin në territorin e kontrolluar nga ISIS.

Të njëjtin muaj, kryeministri Isa Mustafa dhe zyrtarë të sigurisë njoftuan “gjendje gatishmërie” me shpjegimet se Kosova përballej me “rreziqe reale të lidhura me terrorizmin”. Ata refuzuan të jepnin detaje të mëtejshme për nivelin e kërcënimit, por konfirmuan se ai lidhej drejtpërdrejt me ekstremizmin islamik.

Tre muaj më vonë, Mustafa i tha të pranishmëve në një konferencë sigurie në Prishtinë se numri i luftëtarëve kosovarë në Siri dhe Irak ishte “ulur në më pak se 70”.

Qeveria nuk e ka bërë publike se sa kosovarë janë kthyer në vend pas luftës me grupet xhihadiste në Lindjen e Mesme, por Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se rreth 130 ish-luftëtarë janë kthyer në shtëpi.

Më shumë se 50 nga ata që janë akuzuar se kanë kryer vepra të paligjshme të lidhura me luftimet në Siri dhe Irak po përballen tashmë me gjykatat dhe pjesa më e madhe janë akuzuar se janë u bashkuar dhe kanë marrë pjesë në grupe terroriste.

Kosova miratoi reforma ligjore në mars të vitit 2015, të cilat e bënë në shumicën e rasteve luftimin në konflikte të huaja një vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg. Duke qenë se shumica e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq akuzohen se kanë luftuar në Siri dhe Irak në vitin 2013 ose 2014, ata nuk mund të gjykohen sipas legjislacionit të ri. Rrjedhimisht ata janë akuzuar sipas ligjeve të vjetra kundër terrorizmit.

Pavarësisht një uljeje të ndjeshme të numrit të kosovarëve që nisen për në Siri dhe Irak – çka mendohet se ka ardhur si rezultat i arrestimeve, ligjeve të rejave dhe një ndërgjegjësimi më të madh të aktiviteteve të ISIS-it – mesa duket, disa vazhdojnë të përpiqen ta bëjnë këtë.

Dy burra dhe një grua, të tre rreth të njëzetave, u ndaluan nga autoritetet turke në fund të vitit të kaluar në kufirin me Sirinë dhe u rikthyen në Kosovë. Ata janë akuzuar për “pjesëmarrje në organizata terroriste”. Të tre i mohojnë akuzat.

Komandanti i xhihadistë kosovarë në ISIS, Ridvan Haqifi (i dyti në të majtë) me luftëtarë të tjerë nga Ballkani | Fot nga video propagandistike e ISIS
Komandanti i xhihadistëve kosovarë në ISIS, Ridvan Haqifi (i dyti në të majtë) me luftëtarë të tjerë nga Ballkani | Foto nga video propagandistike e ISIS

Arrestet e shtëpisë “të papërshtatshme”

Luftëtarët e kthyer, disa nga të cilët me përvojë në fushëbetejë dhe të stërvitur në përdorimin e armëve dhe eksplozivëve, shihen gjerësisht si një kërcënim sigurie. Ndaj fakti se të paktën 35 të kthyer që dyshohen se kanë luftuar me ISIS-in dhe Al Nusran nuk janë në paraburgim ndërkohë që vazhdojnë gjyqin, ka ngjallur habi ndër ekspertët në Kosovë.

Kritikët vënë re se arrestet e shtëpisë dhe detyrimi për paraqitje në stacion policor nuk janë të përshtatshme për të dyshuar me rrezik të lartë dhe, si të tillë, nuk zbatohen me rigorozitet në Kosovë. Gjykata e Shkallës së Parë në Prishtinë konfirmoi se pesë të dyshuar janë vënë sërish pas hekurave pasi kishin shkelur arrestin e shtëpisë.

Madje, disa mendohet se janë larguar nga vendi ndërkohë që kanë qenë në arrest shtëpie, duke përfshirë Bekim Mulollin, i cili  përballej me akuza për terrorizëm të lidhura me sulmin ndaj dy misionareve katolike amerikane në Prishtinë.

Mulolli e pranoi sulmin ndaj misionareve dhe shprehu pendim, por prokuroria e kishte zgjeruar hetimin dhe e akuzoi atë për vepra të tjera terrorizmi. Ai u la në arrest shtëpie në shkurt të vitit 2015, por u zhduk më vonë po atë vit.

Flitet se ai është vrarë gjatë luftimeve në Siri, sipas një deklarate të bërë në dhjetor nga gjykatësja e çështjes, Nora Bllaca. Autoritetet nuk kanë mundur të verifikojnë nëse Mulolli ka vdekur vërtet në Siri.

Disa të dyshuar janë lënë të lirë dhe iu është kërkuar t’i raportojnë rajonit policor lokal çdo javë. Kosova nuk u kërkon të dyshuarve të mbajnë byzylykë elektronikë në këmbë në mënyrë që lëvizjet e tyre të monitorohen.

Kreshnik Gashi, ekspert ligjor dhe moderator i programit televiziv “Drejtësia në Kosovë”, e përshkruan vendimin për t’i lënë të lirë kaq shumë të dyshuar si “të çuditshëm, duke marrë parasysh se policia nuk i zbaton edhe aq mirë masat e arrestit në shtëpi”.

“Zakonisht, verifikimi i vetëm është një vizitë një herë në ditë e policëve të rajonit ku figuron emri i të dyshuarit. Imagjinoni se ku mund të shkojë brenda 24 orëve një person”, thotë ai.

“Prano fajin ose rri në burg”

Krahas shqetësimeve se të dyshuarit që mund të përbëjnë një kërcënim të vërtetë për sigurinë nuk monitorohen mirë ndërkohë që janë në arrest shtëpie, avokatët kanë shprehur gjithashtu shqetësime se klientëve të tyre u është bërë presion i madh që të shpallen fajtorë për të shmangur mbajtjen në paraburgim gjatë kohës që dalin në gjyq.

Gëzim Baloku po përfaqëson Artan Kadriun, i cili akuzohet për “organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste”. Kadriu përfundimisht e pranoi fajësinë, u lirua nga paraburgimi dhe u la në arrest shtëpie.

“Kjo do të thotë “prano fajësinë dhe ne do të të lëmë të dalësh nga burgu”. Kjo s’është e drejtë. Po i bëhet shantazh të dyshuarit”, tha Baloku.

Avokati Hilmi Zhitia, i cili ka qenë prokuror i përgjithshëm kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ka kritikuar gjithashtu lirimin e të dyshuarve, disa prej të cilëve thuhet se janë akuzuar pavarësisht provave të pamjaftueshme të veprës penale, mesa duket, në shkëmbim të pranimit të fajësisë.

“E kanë bërë paraburgimin një formë shantazhi dhe gjykata s’është e aftë të vlerësojë nëse një i dyshuar që pranon fajësinë është i akuzuar në bazë të ndonjë prove konkrete”, thotë ai.

Shpend Kursani, studiues i asociuar në QKSS, beson se disa ndjekje penale janë nisur “me nxitim dhe me pak prova”, duke thënë se kjo sugjeron se politikanët po përpiqen të duken sikur po e adresojnë problemin.

Disa padi të para nga BIRN janë vetëm pak paragrafe të gjata dhe duket se mbështeten vetëm në mesazhe SMS të dërguara të dyshuarve, por pa përgjigje, ndërsa të tjera mbështeten në pohime të një dëshmitari të vetëm.

BIRN kontaktoi disa herë me Zyrën e Prokurorit Special në Kosovë për një përgjigje për këto akuza, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Përveç shqetësimeve për mënyrën sesi janë menaxhuar ndjekjet penale, Skënder Perteshi, studiues dhe zyrtar projekti në QKSS, paralajmëron se ligjet e reja në vetvete nuk kanë gjasa t’i ndalojnë kosovarët që nisen në fushëbetejat e Sirisë dhe Irakut “të cilët nuk kanë fare respekt për ligjet e qeverisë që nuk lidhen me kuptimin e tyre të Sheriatit”.

Nevoja për një program gjithëpërfshirës kundër ekstremizmit është vërejtur nga qeveria, e cila ka përgatitur strategjinë e saj zyrtare – për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015-2020 – në shkurt të këtij viti. Propozimet përfshijnë edhe masa jashtë institucioneve të zbatimit të ligjit për të trajtuar radikalizmin, përfshirë edukimin fetar dhe fushatat e ndërgjegjësimit.

Strategjia pranon faktin se xhihadistët janë motivuar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë ideologjinë, ndjenjën e padrejtësisë ndaj mizorive të kryera në Siri dhe Irak, propagandën, dëshirën për aventurë dhe mundësinë e marrjes së një roli udhëheqës, çka është e pamundur që ta arrijnë në vendin e tyre.

Flamuri i ISIS mbulon vendet e Ballkanit, duke portretizuar një 'Kalifat Ballkanik' | Foto e marrë nga profili në Facebook i një simpatizanti kosovar të ISIS
Flamuri i ISIS mbulon vendet e Ballkanit, duke portretizuar një ‘Kalifat Ballkanik’ | Foto e marrë nga profili në Facebook i një simpatizanti kosovar të ISIS

“Radikalët shfrytëzojnë të rinjtë e zhgënjyer”

Edhe pse deklarojnë se paraja nuk është një faktor kyç për radikalizmin, strategjia thekson se normat e larta të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë janë faktorë ndikues. Norma e papunësisë sipas Agjencisë Shtetërore të Statistikave është 35% dhe papunësia e të rinjve arrin në 65%.

Perteshi nga QKSS thotë se ekstremistët kanë mundur të shfrytëzojnë të rinjtë e zhgënjyer, të margjinalizuar dhe të paarsimuar, për shkak të mungesës së përpjekjeve nga ana e shtetit për të përmirësuar jetën e rinisë kosovare.

“Arsimi është shkatërruar… kjo ka shkaktuar në një mungesë mendimi kritik të nxënësve”, thotë ai. “Nuk duhet të harrojmë që Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe kjo vjen me përgjegjësi ndaj popullsisë më të re. Të rinjtë duhet të ndihen të rëndësishëm dhe të dobishëm për vendin e tyre. Ata duhet të jenë të aftë të kanalizojnë energjinë dhe dëshirat e tyre”.

Perteshi thotë gjithashtu se shumë xhihadistë, në fakt, ishin të rinj në Islam dhe kishin marrë shumë pak mësime fetare. QKSS-ja vlerëson se rreth 70 për qind e atyre që luftuan në Siri dhe Irak vinin nga familje që nuk kishin traditë islame.

“Ata [luftëtarët e rinj xhihadistë] u janë referuar dijetarëve jokompetentë, të dyshimtë dhe radikalë”, thotë ai.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është përgjegjëse për emërimin e imamëve dhe mbikëqyrjen e çështjeve fetare. BIK ka marrë kritika për paaftësinë e saj në adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe predikimit radikal.

Perteshi pajtohet se BIK-u ishte i ngadaltë në reagim, por thekson se ky institucion ende nuk ka mandat të garantuar me ligj për të kontrolluar plotësisht xhamitë dhe imamët. Legjislacioni që rregullon institucionet fetare ende nuk është miratuar, pavarësisht se ka qenë temë debatesh për 10 vjet.

“Mungesa e një ligji që rregullon bashkësitë fetare në Kosovë ka kufizuar kompetencat ekzekutive të BIK-ut, në disa raste mbi vetë imamët e tij. BIK-u mund të vendosë vetëm të mos e paguajë një imam”, thotë ai.

Në përgjigje të kërkesës së BIRN për komente mbi rolin e tij në parandalimin dhe trajtimin e ekstremizmit, BIK-u ka dërguar një deklaratë me shkrim ku thekson se i ka denoncuar publikisht veprat e ekstremistëve ndërsa theksonte se “nuk ka kompetenca ekzekutive”, sikundër institucionet e sigurisë në këtë rast.

“Grupet ekstremiste janë kundër mësimeve të Islamit, Kuranit dhe trashëgimisë së Profetit Muhamed, i cili e ndalon qartazi marrjen e jetës së një të pafajshmi… besimtarët myslimanë nuk duhet të bien pre e kësaj propagande jo-islame. Islami është një fe e paqes, jo e dhunës. Islami nuk predikon dhunë”, thuhet në deklaratë.

Ekrem Avdiu, imam i një xhamie në qytetin e Mitrovicës, pranon “se ç’radikalizimi i individëve nuk mund të arrihet pa përfshirë imamët e duhur”, por thotë se qeveria duhet të mbajë një pjesë të përgjegjësisë për dështimin në kundërvënien e ekstremizmit të dhunshëm.

“Nëse 300 të rinj kanë shkuar të luftojnë në Siri, përgjegjësia bie fillimisht mbi strukturat e sigurisë. Institucionet shtetërore duhet të pyesin veten se ku gabuan”, thotë ai.

“Marketing falas për ISIS-in”

Avdiu dhe Kursani janë të dy kritikë ndaj disa mediave që ata besojnë se i kanë bërë ISIS-it marketing falas.

“Media të papërgjegjshme u ofrojnë reklamë falas ISIS-it duke riprodhuar dhe shpërndarë materialet e tyre propagandistike”, thotë Kursani.

Ekrem Avdiu, gjithashtu thotë se ka me bollëk marketing falas për ISIS-in në mediat në Kosovë, por thekson se disa media dhe gazetarë kanë marrë “një qëndrim islamofobik”.

“Disa… shpesh përfshihen në raportim të papërgjegjshëm, duke përdorur fjalë ofenduese, madje edhe gjuhë urrejtjeje që shënjestron myslimanët. Në vend që të përpiqen të kuptojnë më mirë dhe të krahasojnë mësimet islame me veprimet e ekstremistëve për hir të informimit të publikut dhe të kontribuojmë në luftën kundër ekstremizmit, ata zgjedhin të nxitin frikë dhe përçarje në shoqëri. Praktikisht, çdo njeri me mjekër [për ta] është terrorist”, thotë ai.

Perteshi nga QKSS pohon se para bastisjeve të policisë nuk kishte pasur asnjë “diskutim real se kosovarët nuk duhet të bëhen pjesë e kësaj lufte, përfshi edhe rregullat islame për të marrë pjesë në xhihad”.

Ndërsa luftëtarët e kthyer që konsiderohen se përbëjnë një kërcënim të sigurisë, thonë ekspertët, duhet të trajtohen në kuadër të sistemit të drejtësisë, ata janë të shqetësuar se qeveria ka qenë e ngadaltë për pjesën tjetër në kryerjen e  vlerësimeve rast pas rasti nëse të kthyerit përbëjnë rrezik.

“Nëse dikush ka shkuar në Siri për të luftuar dhe është kthyer pas një kohe të shkurtër, ndoshta i zhgënjyer, a është logjike [për atë] që t’i nënshtrohet masave represive apo të përfshihet në një program rehabilitimi?” – pyet Avdiu.

Imami Ekrem Avdiu thotë se disa media kosovare “shpesh bëjnë raportime të papërgjegjshme” mbi ekstremizmin islamik | Foto: BIRN
Imami Ekrem Avdiu thotë se disa media kosovare “shpesh bëjnë raportime të papërgjegjshme” mbi ekstremizmin fetar | Foto: KALLXO.com

Strategjia e qeverisë kundër ekstremizmit udhëzon që të kthyerit të vlerësohen duke ofruar programe rehabilituese brenda dhe jashtë burgjeve, por ekspertët thonë se një plan gjithëpërfshirës duhet të zbatohet me urgjencë.

Kursani nga QKSS thotë se kërcënimi për t’i futur në burg jo vetëm që mund t’i pengojë luftëtarët – përfshi ata të zhgënjyer nga ISIS dhe Al Nusra – të kthehen në shtëpi, por gjithashtu mund të ketë pasoja të paqëllimshme dhe të padëshiruara.

Ai e përshkruan burgosjen e të kthyerve si një qasje që “e fut granatën nën tepih përkohësisht”.

Kolegu i tij, Perteshi, thekson se ka indikacione se disa ish-luftëtarë që janë kthyer të zhgënjyer po radikalizohen përsëri pasi janë futur në burg.

“Ky është një problem i vërtetë. Nevojitet një plan konkret për t’u përballur me luftëtarët e kthyer. Burgu nuk është një zgjidhje universale për këtë problem dhe në disa raste kjo mund të rezultojë të jetë edhe kundër-produktive”, paralajmëron ai.

 

TË DHËNAT KRYESORE PËR XHIHADISTËT NGA KOSOVA

Shifrat e luftëtarëve

Më shumë se 300 kosovarë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak, sipas Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri njoftoi në shkurt se besohet se rreth 70 kosovarë janë ende duke luftuar për ISIS apo Al Nusra në Siri dhe Irak.

Burime të policisë së Kosovës më parë i kanë thënë BIRN se dyshohet që 36 gra e kanë lënë vendin për të jetuar në territorin e kontrolluar nga ISIS.

Sipas vlerësimeve të fundit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) rreth 60 kosovarë besohet të jenë vrarë në konflikte.

Ndërkohë që qeveria nuk e ka bërë publik numrin e të kthyerve, QKSS vlerëson se 130 luftëtarë deri më tani janë kthyer në shtëpi.

Kosovarët që raportohen se janë larguar për në Siri dhe/ose Irak për vit:

Viti 2012: 68 persona

Viti 2013: 123 persona

Viti 2014: 19 persona

Nuk ka të shifra në dispozicion për vitin 2015, por Shpend Kursani, studiues i asociuar i QKSS, vlerëson se 16 kosovarë i janë bashkuar ISIS-it gjatë tremujorit të parë të atij viti.

* Burimi: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (Mars 2016)

Reformat e ligjit anti-terror

Në mars 2015, qeveria e Kosovës miratoi ligje të reja që e bënin “anëtarësimin dhe pjesëmarrjen” në ushtri të huaja, polici, grupe paraushtarake apo para-policore një shkelje kriminale, të dënueshme me burg nga 3 deri në 15 vjet.

Kosovarët me nënshtetësi të dyfishtë që shërbenin për ushtri apo njësi policore të kontrolluara nga qeveritë dhe organizatat e njohura ndërkombëtarisht bëjnë përjashtim.

Ata që shpallen fajtorë për organizim, rekrutim, drejtim apo stërvitje të të tjerëve me synimin e anëtarësimit të paligjshëm në formacione të huaja ushtarake përballen nga 5 deri në 15 vite burg.

Financimi direkt apo indirekt apo ofrimi i ndihmës materiale ndaj një personi që synon të anëtarësohet me një grupi ushtarak të huaj është i dënueshëm me burg nga 3 në 15 vjet.

Megjithatë, shumë kosovarë të kthyer në vend përpara ligjeve të reja u gjykuan nën ligjet anti-terrorizëm të dhjetorit 2012.

Këto ligje dënonin kryerjen, ndihmën dhe lehtësimin e akteve terroriste, rekrutimin, trajnimin apo nxitjen e akteve terroriste, pjesëmarrjen në grupe terroriste dhe pjesëmarrje në aktivitete terroriste. Nëse dënohet, i akuzuari përballet me burg nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm.

Ndjekjet penale kryesore deri më sot

Më shumë se 50 kosovarë janë akuzuar me shkelje që lidhen me rekrutimin apo kryerjen e akteve terroriste, ndërmjetësimin dhe mbështetjen e aktiviteteve terroriste, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizatat terroriste dhe posedimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.

Rreth 40 janë akuzuar për anëtarësim në ISIS ose Al Nusra në Siri dhe Irak gjatë 2013 dhe 2014.

Katër kosovarë janë burgosur nga 2015 dhe fillimi i 2016 për pjesëmarrje në grupet terroriste ISIS dhe Al Nusra. Të katërt kanë pranuar fajin dhe kanë shprehur pendim.

Fitim Lladrovci, një ish-luftëtar i ISIS nga Kosova, u bë i njohur kur në 2014 ktheu një fëmijë te nëna e tij në Kosovë. Babai xhihadist i fëmijës e kishte marrë djalin në Siri pa dijeninë e gruas.

Lideri i luftëtarëve kosovarë të ISIS në Siri, Ridvan Haqifi, e shpalli Lladrvocin tradhtar dhe lëshoi një dënim me vdekje për të. Lladrovci u dënua me pesë vite burg në 2015 për pjesëmarrje në organizata terroriste dhe posedim të armëve të zjarrit.

Pas arrestimeve në vitin 2014, 32 të dyshuar janë gjykuar bashkërisht në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë për një shumëllojshmëri krimesh të lidhura me terrorizmin. Jo të gjitha rastet janë të lidhura mes tyre në mënyrë direkte.

Në kohën e shkrimit të artikullit, 18 janë deklaruar fajtorë duke u vendosur në arrest shtëpiak ose në detyrim paraqitjeje në stacion policor – shumica gjatë gjysmës së parë të 2015 – ndërsa gjykata shqyrtonte çështjet. Të tjerët kanë mohuar akuzat dhe gjithashtu u nxorën nga paraburgimi dhe u vunë nën masa sigurie më të lehta.

Deri më sot, vetëm një nga 32 të dyshuarit, Hajdin Elezi, mbetet në burg. Ai mohon pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Askush nuk është dënuar për rekrutim të luftëtarëve apo shkelje të tjera të ngjashme.