Kosova, Republika pa Kallëzues

Në një prej fjalimeve të fundit si Presidente e Kosovës, Atifete Jahjaga kërkoi që zyrtarët më të lartë të drejtësisë së vendit t’i kushtojnë më shumë vëmendje kallëzuesve (whistleblowers)- veçanërisht atyre që e ekspozojnë korrupsionin. Por qëkur ajo e la detyrën në prill të këtij viti, asgjë nuk ka ndryshuar në përmirësimin e të drejtave dhe mbrojtjen e kallëzuesve. Hakmarrja ndaj të punësuarve publikë dhe atyre të kompanive që kanë raportuar krimin dhe keqbërjen është e pandalshme.

Kosova radhitet keq në ranglistat ndërkombëtare të perceptimit publik rreth korrupsionit, sidomos atij brenda institucioneve qeveritare. Këto rangime reflektojnë atë se sa thellë kosovarët besojnë se korrupsioni është një çështje madhore në vendin e tyre. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e opinionit publik: vazhdimësia në korrupsion është konfirmuar nga shumë raste penale të ngritura ndaj liderëve të institucioneve shtetërore.

Edhe përkundër akuzave të gjera dhe arrestimeve për aktet e korrupsionit, Kosova vazhdon të ketë mungesë të një ligji të gjithmbarshëm për mbrojtjen e kallëzuesve, duke krijuar kështu pasiguri dhe frikë për ata që dëshmojnë dhe raportojnë krimin dhe keqbërjen.

Legjislacioni për mbrojtjen e kallëzuesve nuk ishte pjesë e listës së ligjeve të miratuara që hynë në fuqi kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Për ta plotësuar këtë zbrazëtirë, Kuvendi i Kosovës kaloi Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve në vitin 2011.

Ligji u miratua me synimin për të garantuar mbrojtjen e atyre që raportojnë korrupsionin brenda institucioneve publike dhe kompanive private. Por në praktikë, shumë pak zyrtarë dhe të punësuar kanë përfituar nga mbrojtja e supozuar me këtë ligj.

Ligji i quan kallëzuesit “informatorë”, gjë që nuk është termi i përshtatshëm brenda popullatës për shkak të konotacionit historik negativ gjatë regjimit komunist. Dhe hulumtimet kanë treguar se dispozitat e ligjit vazhdojnë të vuajnë nga zbatimi i dobët.

“Ligji nuk garanton inkurajim për kallëzuesit e korrupsionit”, pranon Hasan Preteni, ish- kreu i Agjensisë Kundër Korrupsionit të Kosovës.

Preteni i cili ka drejtuar këtë agjensi për disa vjet, mendon se ligji qe miratuar në mënyrë sipërfaqësore. “Është një ligj me norma të përgjithshme të cilat nuk janë të aplikueshme dhe janë jofunksionale”, tha ai.

Artan Canhasi nga OJQ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e ka monitoruar nga afër zbatimin e ligjit. Problemi i parë, thotë ai, është titulli i ligjit. “Ligji është emërtuar gabimisht si ligj për mbrojtjen e ‘informatorëve’ që ka një konotacion negativ në kontekstin historik të Kosovës”.

Në të kaluarën, informatorët janë parë si njerëz që i kanë dhënë informata regjimit të Slobodan Milosheviqit. “Informatorët” e asaj kohe nuk pëlqeheshin nga njerëzit përreth.

Përveç emërtimit, Canhasi sheh edhe probleme tjera. Për shembull, shumë institucione shtetërore nuk kanë emëruar zyrtarë apo nuk kanë vendosur mekanizma që funksionojnë. “Aplikimi i ligjit në praktikë nga institucionet publike ka të meta, në të shumtën e rasteve për shkak të mungesës së njohurisë rreth ligjit”, tha ai.

Canhasi beson se publiku duhet të edukohet rreth rëndësisë së ligjit duke përmendur ndikimet pozitive që ai mund t’i ketë në luftimin e korrupsionit.

Ligji dhe hakmarrja

Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve synon mbrojtjen e kallëzuesve nga ndonjë hakmarrje ose diskriminim në vendet e tyre të punës. Një bord mbikëqyrës i pavarur merret me ankesat e shërbyesve civile për shkarkime dhe pezullime nga puna.

Kreu i bordit, Shkëmb Manaj, thotë se ka pranuar ankesa nga katër ose pesë shërbyes civilë që thonë se janë suspenduar, ulur në pozitë ose janë përballur me masa ndëshkimore pasi kanë raportuar korrupsionin brenda institucioneve të tyre. Megjithatë, asnjë nga këto ankesa nuk është dëshmuar deri më tani.

Rasti i Abdulla Thaçit shembullon një skenar të padëshirueshëm ku mund ta gjejnë veten raportuesit e korrupsionit.

Përderisa po punonte në ProCredit Bank, Thaçi qe gjobitur me 5 mijë euro nga një gjykatë për zbulimin e informatave rreth transaksioneve të dyshimta në llogaritë e zyrtarëve komunalë të Prizrenit. Thaçi injoroi procedurat e bankës dhe vendosi t’i bëjë publike këto transaksione. Informatat shërbyen si dëshmi në rastin gjyqësor kundër disa zyrtarëve në Prizren.

Rasti i Thaçit bëri bujë të madhe sepse gjykata trajtoi rastin e tij për zbulimin e sekreteve me më shumë urgjencë se korrupsionin që ai e zbuloi.

Canhasi i KDI-së përmend këtë shembull si një burim të dekurajimit për kallëzues potencialë të korrupsionit.

Thaçi tani jeton në Gjermani pasi që nuk mund të punësohet në institucionet shtetërore të Kosovës. Normat ligjore nuk lejojnë punësim publik për njerëzit me të kaluar penale. Madje as kompanitë kredibile nuk punësojnë njerëz që kanë qenë të dënuar për vepra penale.

Përkundër kësaj përvoje dekurajuese dhe faktit se ai nuk jeton ose punon në vendlindje, Thaçi është i bindur se ai do ta raportonte korrupsionin edhe në raste tjera sepse qëllimi i tij ishte i drejtë. Reagimi i publikut dhe mirënjohja që mori e bënë atë krenar për vendimin që kishte marrë.

“Në fund të fundit, nuk ka krenari më të madhe se të dënohesh nga një sistem ku bashkëkombasit tu, kudo që të shohin, të respektojnë”, tha Thaçi. “Kjo është fitorja më e madhe dhe nuk besoj se dikush tjetër do të mund ta përjetojë këtë kënaqësi. Kosova e shokëve të mi do të bëhet realitet një ditë”.

Mbrojtja e kallëzuesve të korrupsionit në Kosovë është një problem edhe më i madh në sektorin privat. Edhe pse ligji kërkon mekanizma raportues brenda kompanive private, vetëm një numër i vogël i kompanive, kryesisht banka dhe kompani të mëdha, kanë ndërtuar një sistem raportimi. Bizneseve të vogla nuk u kërkohet të kenë mekanizma të tillë, pasi që numri i vogël i të punësuarve do ta bënte një sistem të tillë të papraktikueshëm.

Shefi i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, thotë se ka një tendencë problematike për të punësuarit që hezitojnë të raportojnë te Inspektorati i Punës atëherë kur ndodhin parregullsitë. “Të punësuarit vijnë te ne kur e lëshojnë punën dhe atëherë bëhet problem që të mund të dëshmohet se ka pasur pezullim për shkak të denoncimit”, tha ai.

Ibrahimi përmend se janë rreth 2 mijë raste brenda vitit në të cilat inspektorët zbulojnë punëtorët që punojnë pa kontratë prandaj ata nuk mund t’i raportojnë madje as shkeljet e drejtpërdrejta. “Shumica e punëtorëve pa kontrata janë zbuluar gjatë inspektimeve tona sepse nuk kemi ankesa direkte me emër e mbiemër”, tha Ibrahimi.

Ai është i bindur se mungesa e raportimeve në diskriminime dhe keqbërje me kontrata të punës është një çështje që ngritët nga frika. Punëtorët janë të frikësuar se do t’i humbnin vendet e punës.

Nevoja për ndryshim

Që nga miratimi në vitin 2011, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve është kritikuar për shkak të mangësive dhe paqartësive që ka. Ish Presidentja Atifete Jahjaga bëri thirrje për një ndryshim në ligj dhe për mbrojtje më të fuqishme për kallëzuesit e korrupsionit.

Përkundër këtyre kërkesave në agjendën legjislative, nuk parashikohet asnjë ndryshim në ligj. Në një përgjigje rreth kësaj çështjeje, Ministria e Drejtësisë tha se ka mungesë iniciative për ndryshimin e ligjit.

“Ne si Ministri jemi të përkushtuar t’i ndihmojmë të gjitha institucionet që merren me promovimin e praktikave dhe proceseve kundër korrupsionit. Në fakt, një iniciativë e tillë, nëse nuk është ndërmarrë deri më tani, do të duhej të ndërmerrej nga Agjensia Kundër Korrupsionit dhe institucione tjera relevante”, thuhet në një përgjigje nga ministria e Drejtësisë.

Ministria tha se në rast se do të ketë një iniciativë, ndryshimet e propozuara do të përcillen në Kuvend, por ata nuk dhanë shpjegime pse iniciativa të tilla nuk janë mbështetur deri më tani.

 

Kreshnik Gashi është gazetar me përvojë shumëvjeçare që ka fituar disa çmime në gazetari hulumtuese dhe autor i emisionit të përjavshëm televiziv “Drejtësia në Kosovë”. Ai gjithashtu është redaktor menaxhues në platformën e raportimit të korrupsionit www.kallxo.com. Kreshniku punon në Zyrën në Prishtinë të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN)