Foto: Ilustrim

‘Gjykata e Tenderëve’ Paralizohet nga Mungesa e Emërimeve

Mungesa e votimit nga Kuvendi i Kosovës të një kryetari dhe anëtarëve të bordit që mungojnë, ka shkaktuar që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), të kufizohet thelbësisht në punën dhe kompetencat e saj.

Prokurimi publik vazhdon të jetë temë diskutimi në vend, por edhe në raportet ndërkombëtare kur është fjala për Kosovën.

Pjesë e pandashme e prokurimit publik në Kosovë është edhe OSHP, siç njihet ndryshe “gjykata e tenderëve”.

Ky institucion u themelua nga Kuvendi i Kosovës, në bazë të ligjit për Prokurim Publik, dhe zyrtarisht ky organ punën e filloi me 1 gusht 2008.

OSHP si organ i pavarur, në kuadër të rolit të saj mbikëqyr zbatueshmërinë e Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë. Kryetar i kësaj gjykate ishte z. Hysni Hoxha, i cili dha dorëheqje në janar të këtij viti.

Por dy vite më parë, përkatësisht në dhjetor të 2014-së ishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të kësaj gjykate, për të cilën kishte reaguar Hoxha, i cili mohoi se kishte bërë shkelje të ligjit të prokurimit.

Po atë muaj Hoxha në një konferencë për media kishte thënë se nuk e kishte ndërmend të jepte dorëheqje, pasi që sipas Hoxhës, me dorëheqjen e tij “OSHP-në do ta merrte lumi”.

Me fillimin e vitit 2016 OSHP mbetet pa kryetar, sepse Hoxha në muajin janar dha dorëheqje nga posti i të parit të këtij institucioni.

Me qëllim të zhbllokimi të punës së OSHP-së deri në ardhjen e kryetarit të ri, bordi unanimisht kishte marrë vendim të zgjedhë kryesuesin e tij të përkohshëm.

Lidhur me funksionimin e punës nga dorëheqja e kryetarit të këtij institucioni, Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje OSHP-së, dhe në përgjigjen e tyre thuhet se dhjetëra ankesa janë pranuar që kur ky organ ka mbetur pa bord.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, lidhur me pyetjet tuaja, ju njofton se nga data 15 janar 2016, kur OSHP është pa Bord, janë parashtruar 54 ankesa. Që nga momenti kur OSHP nuk ka kuorum për Bord janë mbajtur vetëm panele shqyrtuese me një anëtar, për ankesat me vlerë deri në 50,000 euro, poa shtu janë marrë konkluzione, vendime për tërheqje të ankesës për ankesa me vlerë të vogël”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Lidhur me sesi mund të funksionojë ky institucion në mungesë të kryetarit të saj dhe me ushtrues detyre, Gazeta Jeta në Kosovë gjithashtu ka dërguar pyetje edhe te Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP).

Sipas tyre, sa i përket shqyrtimit të ankesave, OSHP-ja e ka të rregulluar me rregullore të brendshme.

Paneli me një anëtar shqyrton ankesat në vlerë deri 50 mijë euro, ndërsa për vlerat mbi 50 mijë deri në 500 mijë me tre anëtarë dhe mbi 500 mijë 5 anëtarë.

KRPP më tej thotë se OSHP nuk mund t’i shqyrtojë ankesat për vlera të mëdha pasi bordi nuk është i plotësuar.

“Për shqyrtimin e ankesave me vlera të mëdha për të cilat duhet tre dhe pesë anëtarë të panelit shqyrtues, për momentin nuk mund të shqyrtohen pasi që ende nuk është plotësuar Bordi i OSHP, janë vetëm dy anëtarë, andaj sipas Rregullores së lartë cekur të OSHP-së, ankesat për ato vlera mbeten te pa shqyrtuara derisa të kompletohet Bordi”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Në anën tjetër, në aspektin politik sipas raportit të progresit për Kosovën 2015, thuhet se organet e prokurimit kanë dështuar dhe se duhet të depolitizohen.

“Organet e prokurimit publik kanë dështuar shumë në sigurimin e monitorimit sistematik dhe rishikimin e vendimeve të prokurimit. Është qenësore që të emërohen anëtarë të rinj të bordeve kompetente për të profesionalizuar dhe depolitizuar sistemin e prokurimit”, thuhet në raport.

Depolitizimi i këtij organi është edhe një nga kriteret për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Përkundër ndryshim plotësimit që i është bërë ligjit për prokurimi publik, por për shkak të disa lëshimeve dhe pikërisht për këtë kriter ishte bërë edhe njëherë ndryshim-plotësimi i këtij ligji.

Propozimit të qeverisë, për kryetarin dhe anëtarët e tjerë të bordit të OSHP, Kuvendit ish pika që ju shtua nenin kur flitet për këtë organ.

Në mbledhjen e qeverisë të datës 2 mars ishte marrë vendim t’i propozohen Kuvendit 6 kandidatë për anëtarë të bordit të OSHP-së të OSHP-së. Më datën 15 mars, Kuvendi i Kosovës ngriti për miratim një rekomandim për bordin e OSHP-së, i cili dështoi pasi nuk mori votat e mjaftueshme.

Në pak minuta seancë të Kuvendit të datës 15 Mars 2016 me të vetmen pikë të rendit të ditës që ishte shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të OSHP-së nuk ju vu pikë zgjidhjes së këtij problemi të OSHP-së.

Ky rekomandim nuk kaloi në Kuvend për shkak se mori vetëm 43 votave në mbështetje nga 61 që nevojiteshin.

http://kallxo.com/pak-minuta-kuvend/

Pavarësisht dështimit, të premten e 18 marsit, qeveria i dërgoi sërish të njëjtit emra për rivotim në Kuvend.

Më 10 Mars 2016 Kuvendi i Kosovës shkarkoi anëtarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Bajram Zogianin.