Objekti i KEP në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Gjiganti Kosovar i Kredive Buzë Greminës

The Kosovo Enterprise Program (Programi Kosovar i Ndërmarrësisë), KEP, një organizatë bamirëse mikrofinanciare që ka lënë në hije shumë banka të vendit, ka paguar miliona euro, potencialisht në mënyrë të paligjshme te zyrtarët e saj më të lartë, ka zbuluar një hulumtim nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

Përveç kësaj, kapitali i investuar nga fondet e donatorëve dhe kreditë komerciale të cilat ishte dashur të kthehen prapë si investime në aktivitetet e saja kryesore bamirëse, ishtin shpërndarë te një rrjet i jashtëm biznesesh në varësi të KEP.

Sipas zyrës së qeverisë, të mandatuar për të monitoruar organizatat joqeveritare – OJQ-të, KEP ligjërisht nuk do të mund të kishte në pronësi apo të themelonte kompani fitimprurëse.

BIRN po ashtu ka zbuluar që bordi i KEP-it, garantuesi i misionit të tij bamirës dhe ligjshmërisë, kishte vepruar pa mandat që nga viti 2008 e deri në fund të vitit 2010.

Pavarësisht kësaj, bordi kishte vazhduar me përpjekje kontradiktore për të shitur llogaritë kreditore të OJQ-së te një bankë private, si dhe të hapte një fond të veçantë investues në Shqipëri.

Me 48 milionë euro vlerë të kredive në llogaritë e saj, KEP u përball me shkatërrim në vitin 2010 për shkak të krizës në qeverisjen e saj të lartë si dhe borxheve në rritje. Në fund KEP ishte vendosur nën kontrollin e një administratori të jashtëm të emëruar nga Banka Qendrore e Kosovës, BQK.

Përmes mbledhjes së dokumenteve të rrjedhura, intervistave me personelin e tanishëm dhe të kaluar, si dhe informatave të mbledhura sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, BIRN, për herë të parë mund të zbulojë tregimin e pathënë të KEP që ishte afër shkatërrimit në vitin 2011.

Përderisa nuk është më në rrezik të menjëhershëm, KEP vazhdon të përballet me rënie nga kriza e saj dhe që atëherë është përgjysmuar në madhësi.

KEP përballet me dy raste gjyqësore, përfshirë një pretendim për dëm në vlerë të 1,2 milionë eurove nga ish drejtori ekzekutiv i tij, Muriithi Kagai, i cili pretendon se është shkarkuar në mënyrë të padrejtë. Rasti tjetër ka të bëjë me vendimin e kohëve të fundit të departamentit të qeverisë që i monitoron OJQ-të për t’i hequr KEP-it statusin e lirimit nga taksat.

BIRN-i po ashtu ka mësuar që dy ish-udhëheqës të lartë janë nën hetime të policisë nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muriithi Kagai | Foto: Facebook
Muriithi Kagai | Foto: Facebook

‘Performanca jo e mirë’ e bordit

KEP-i ishte themeluar në shtator të vitit 1999 pas luftës në Kosovë për të “promovuar grupet e margjinalizuara dhe të varfërit”.

E themeluar nga Komisioni Ndërkombëtar Katolik për Migrim, ICMC, një organizatë e madhe zvicerane për bamirësi, dhe Klubi i Biznesit të Prizrenit, KEP ofron kredi të vogla për individët dhe bizneset të cilat e kanë të vështirë për të marrë financim nga bankat tradicionale.

Përmes fondeve dhe kredive të ofruara nga organizata si Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, KEP arriti që të bëhet shpejt institucion i madh financiar, madje më i madh se shumë nga bankat komerciale të vendit.

Bordi i saj i drejtorëve e pa këtë rritje masive si një sukes të vetin dhe planifikoi që ta shesë llogarinë e saj potencialisht fitimprurëse të kredive tek një bankë private.

Por përderisa KEP hynte në vitin 2010, ky institucion u përball me krizë të qeverisjes së brendshme dhe financiare – me bord që vepronte pa mandate. Deri në këtë kohë, bordi i plotë prej shtatë anëtarësh ishte tkurrur në vetëm katër – Kenneth Patterson, Albert Musliu, Leo MacGillivray dhe Michael Conlon. Sidoqoftë, mandati i tyre kishte përfunduar në vitin 2008.

Pavarësisht kësaj, gjatë vitit 2009 dhe 2010, KEP ishte aktivisht i angazhuar për të nxitur blerës për biznesin e vet, duke ftuar një varg bankash për të përgatitur ofertat.

Bordi dhe zyrtarët e lartë ekzekutivë ishin të ndarë mbi propozimin për shitje dhe po ashtu, nëse plani për ngritjen e një fondi i veçuar investimi në Shqipëri, duke përdorur fondet nga OJQ-ja në Kosovë, do të ishte etik.

Në një raport të konfidencial të shkruar në vitin 2010 dhe të cilin BIRN e ka siguruar, BQK-ja ka vlerësuar që bordi dhe menaxhmenti i KEP-it janë “përfshirë në praktika jo të mira dhe të pasigurta” dhe kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit të tij për të shkarkuar ish-drejtorin ekzekutiv Kagai në vitin 2010, duke vepruar pa mandat.

“Performanca e bordit të drejtorëve dhe menaxhmentit është e dobët dhe praktikat e menaxhimit të riskut nuk janë të duhura”, shkruhet në raportin e BQK-së.

Bajram Kosumi, udhëheqës i zyrës së qeverisë për mbikëqyrje të OJQ-ve, ka thënë se ka pranuar vendimin për shkarkim të Kagait pavarësisht gjendjes së bordit dhe “shkeljeve të vazhdueshme që kishte identifikuar BQK” nën udhëheqjen e tij.

Ai pretendon që në fakt bordi e ka shkarkuar Kagain për shkak se ata ishin të hidhëruar me të pasi që ai në mënyrë të njëanshme e kishte kontaktuar zyrën për OJQ në lidhje me mandatin e bordit.

Kjo ishte një nga shqetësimet e radhitura në njoftimin për shkarkim të Kagait në dhjetor të vitit 2010. Udhëheqësi i bordit Patterson dhe anëtarët Musliu dhe MacGillivray votuan në favor të shkarkimit përderisa kolegu i tyre Conlon që e kundërshtoi atë, i tregoi BIRN-it që vendimi ishte marrë përderisa ai ishte në shtëpinë e tij në Irlandë dhe pa kurrfarë paralajmërimi ishte thirrur që të votojë.

Banka Qendrore dhe Zyra për Mbikëqyrje të OJQ-ve kishte ndërhyrë në mënyrë për të sjellë së bashku themeluesit, Kubin e Biznesit të Prizrenit, kreditorët dhe punëtorët e KEP në një përpjekje për të ripërtërirë bordin.

Megjithatë, nuk kishte pasur marrëveshje dhe në janar të vitit 2011 bordi ishte shkarkuar. Për të zgjidhur krizën në qeverisje dhe adresim të finacanve të këtij institucioni, BQK-ja emëroi këshilltarin ndërkombëtar Jacques Boribond për të mbikëqyrur KEP-in.

Selia e KEP në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla
Selia e KEP në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Kreditë në rritje

Përderisa bordi i KEP dhe drejtori ekzekutiv luftonin për të kontrolluar të ardhmen e KEP-it, situata financiare e këtij institucioni u bë gjithnjë e më e pasigurtë.

Kagai dhe anëtari i bordit Conlon i thanë BIRN-it se ata besojnë që KEP do të mund të kishte zbutur krizën financiare dhe që aksionerët e tij ishin kishin filluar të shqetësoheshin për qeveresijen e bordit, e jo për aftësinë e OJQ-së për t’i paguar borxhet e veta.

“Nëse do të kisha shqetësim në aspekt të financave ai do të ishte një shqetësim i përgjithshëm për ritimin (e shpejtë) të rritjes”, tha Conlon.

Kagai e ka përshkruar organizatën si financiarisht të qëndrushme dhe i ka akuzuar të tjerët për problemet e saj: “Ata [BQK-ja] ia dhanë tatëpjetën këtij institucioni”.

Por burime të shumta i kanë thënë BIRN-it se një nga arsyet pse BQK ka kërkuar një administrator ndërkombëtar ka qenë se nëse KEP do të binte për shkak të problemeve të qeverisjes së saj të brendshme, kjo do të mund të ishte shpërndarë në tërë sektorin bankar të Kosovës duke shkaktuar krizë financiare në mbarë vendin.

Sipas raportit të BQK-së të vitit 2010, KEP kishte raportuar humbje prej rreth 700,000 euro në këtë vit dhe se “menaxhmenti kishte dështuar që të ofrojë vlerësim të duhur për riskun e kredive”.

Një raport i auditimit për atë vit, po ashtu, tregon që KEP kishte rritur humbjet e parashikuara në kredi nga 820 mijë euro në vitin 2009 në 3,4 milionë euro në vitin 2010 dhe kjo ishte në kundërshtim me marrëveshjen teknike me huadhënësit e tij përgjatë vitit. Auditorët, megjithatë kishin vërejtur që KEP kishte arritur që t’i bëjë ripagesat.

Udhëheqësi i bordit Patterson në njoftimin për shkarkim të Kagai’s kishte shkruar: “Kjo performancë [e dobët] ka çuar në mospagesa [të kredive] për shkak të shkeljes së marrëveshjes me huadhënësit dhe [rrjedhimisht] e ka vënë institucionin në rrezik të lartë”.

Që nga ndërhyrja e BQK-së, KEP është zvogëluar dukshëm. Në vitin 2009, kishte 48 milionë euro asete përfshirë 41 milionë në kredi tek klientët, përderisa tani kjo ka rënë në 22 milionë asete, përfshirë 19 milionë euro të kredive.

Paga të larta, bonuse dhe privilegje

Kur BQK-ja dhe Zyra për Monitorim të OJQ-ve ishin duke e hetuar krizën e qeverisjes në KEP, ata zbuluan po ashtu edhe një mori pagesash të dyshimta, bonuse dhe privilegje të bëra te zyrtarët e lartë dhe bordi, disa prej të cilave mund të jenë në mospërputhje me rregulloret e OJQ-ve.

Vlerësimet vjetore të bëra nga BQK në vitin 2009 dhe 2010 tregojnë pagesa që potencialisht mund të jenë të paligjshme duke shpjeguar që ato “mund të konsiderohen si të paarsyeshme”.

Rregullorja për OJQ, e miratuar kur Kosova ishte nën mandatin e OKB-së, thekson qe “çdo transaksion ndërmjet organizatës dhe anëtarëve, nëpunësve, anëtarëve të bordit ose punonjësve të saj duhet të kryhet me vlerën e tregut ose në kushte më të favorshme për organizatën”.

Sidoqoftë, një numër dokumentesh të marra nga BIRN përmes një ‘kallëzuesi’ tregojnë se pagat për personelin ndërkombëtar filluan të rriten në gusht të vitit 2002 kur Charles Davy, drejtor rajonal i ICMC-së, organizatë bamirëse zvicerane dhe bashkëthemeluese e KEP-it, që më vonë u bë anëtar i bordit të KEP, ndanë më shumë se 1,5 milionë euro nga fondi i bëmirësisë së ICMC-së për të rritur rrogat e personelit të vet ndërkombëtar.

Një përfitues i madh ishte edhe ish drejtori ekzekutiv, Kagai, të hyrat e të cilit tejkalojnë 1,2 milionë gjatë dekadës së tij në KEP, sipas këtyre dokumenteve të brendshme të cilat BIRN i ka parë.

Në vitin 2009, Kagai kishte marrë më shumë se 210.000 euro, përfshirë rrogën e tij vjetore prej 182.000 eurove, 22.000 euro për shkollimin privat të fëmijëve të tij në Beograd, një kompensim për banim në vlerë prej 4.800 eurosh dhe shpenzime tjera. Krahas kësaj, Kagait i lejohej përdorimi për qëllime private i disa makinave zyrtare të KEP.

Menaxheri i përgjithshëm Elvis Ziu dhe zëvëndës drejtori ekzekutiv Arten Zikaj, të dy me nënshtetësi shqiptare, ishin dy të tjerët që paguheshin më së shumti, me paga vjetore prej 90.000 euro, përkatësisht 54.000 në vitin 2009. Ata po ashtu kishin marrë bonuse dhe të ardhura edhe për shtëpi e banim.

Rrejti_KEP

Udhëheqësi i mbikqyrjes së OJQ-ve, Kosumi, tha se ai ishte i shqetësuar me aktivitetet e KEP-it dhe kishte kërkuar nga policia që të hetonte.

“Në vitin 2009, unë pyeta haptazi nëse ishte e arsyeshme që paga e një drejtori të një OJQ-je të kishte vlerën sa 45 paga të drejtorëve të një departamenti [në institucionet e Kosovës]”, i tha ai BIRN-it.

BQK po ashtu kishte ngritur shqetësime rreth shpenzimeve për ditët jashtë vendit për të gjithë stafin e që mbaheshin në Stamboll e Ohër në vitin 2008, që i kishin kushtuar OJQ-së gati 60 mijë euro për udhëtim, akomodim dhe shpenzime ditore – të cilat konsideroheshin “të paarsyeshme” dhe potencialisht në kundërshtim me rregulloret e OJQ-ve.

Në një intervistë me BIRN, Kagai argumenton që ka pasur një tension brenda KEP ndërmjet statusit të saj si një OJQ dhe të qenurit një nga aktorët kryesorë financiarë në Kosovë, por ai këmbëngul se e ka merituar rrogën që e ka marrë.

Pagesat e dyshimta të bordit

Anëtarët e bordit të OJQ-ve mund të rimbursohen për shpenzimet e bëra, por normalisht nuk marrin shpërblime. Ky qëndrim ishte konfirmuar nga Agron Kelmendi, udhëheqës i departamentit ligjor të KEP-it, në një dokument që daton në qershor të 2008-s.

Pavarësisht kësaj, shuma e paguar për bordin u rrit nga 88.000 euro në vitin 2007 në më shumë se 300.000 euro në vitin 2010, përfshirë shpërblimin për kryetarin e bordit në vlerë prej 45.000 eurove dhe nga 10.000 euro “buxhet për zhvillim personal”, për t’u shpenzuar për trajnime për secilin anëtar të bordit sipas preferencave së tyre. Kjo rritje ishte votuar nga vetë bordi.

Një auditim i brendshëm i bërë nga KEP në nëntor të vitit 2010, dhe i parë nga BIRN, shpjegoi që nuk mund të konfirmohet “arsyetimi” i pagesave, por ia shmang çështjes nëse ato ishin paguar në mënyrë të paligjshme.

BIRN-i po ashtu ka mësuar që takimet e bordit rregullisht janë mbajtur jashtë Kosove, përfshirë edhe një në Tailandë.

Ish-anëtari i bordit Conlon konfirmon që takimet e bordit ishin mbajtur jashtë vendit, por vetëm nëse shpenzimet nuk i tejkalonin ato nëse aktiviteti do të organizohej në Kosovë. Ai shtoi që takimi në Tajlandë ishte mbajtur për shkak se udhëheqësi i bordit, Charles Davy, jetonte atje në atë kohë.

Conlon ka thënë që nuk ka qenë në dijeni për vlerësimin ligjor të vitit 2008 i cili ka thënë që shpërblimet për anëtarët e bordit mund të jenë të kundërligjshme, por ka shpjeguar që rritja në pagesa ka ardhur si rezultat i shtimit të punës për bordin.

“Arsyeja pse u rritën shpërblimet për anëtarët e bordit ishte sepse KEP filloi të marrë shumë nga koha e anëtarëve të bordit. Me të vërtetë ka qenë një institucion financiar”.

Filialet jashtë vendit të KEP

Nga viti 2004, KEP ka themeluar një rrjet të kompanive komerciale jashtë Kosovës, çka shkel, sipas udhëheqësit të zyrës për monitorim të OJQ-ve z. Kosumi, ligjet që rregullojnë aktivitetet e OJQ-ve. Një prej tyre, KEP Holding LLC, ishte krijuar në juridiksionin famëkeq ‘offshore’ [me ligje që kërkojnë shumë pak llogari ndaj kompanive të huaja] në Amerike, në Delaware.

Ky rrjet përfshinte një kompani private të sigurimit, Hexagon, me seli në Prishtinë, dhe një kompani për trajnim, Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim të Komunitetit dhe Ndërmarrësisë (the International Center for Community and Enterprise Development), ICCED, me seli në Dublin, Irlandë. Vetë ICCED-ja kishte tri degë në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, të themeluara për të ofruar trajnime për OJQ tjera dhe punëtorë të KEP-it.

Dy ish-punëtorë të KEP dhe ish-anëtari i bordit Conlon i kanë treguar BIRN-it që dega e Serbisë ishte themeluar për t’ia lehtësuar jetën Kagait dhe familjes së tij.

BQK-ja ka vlerësuar se një numër i transfereve nga KEP tek ICCED mund të kenë qenë në kundërshtim me ligjin mbi OJQ-të sa i përket pagesave “të arsyeshme” dhe të “drejta”. Në veçanti, banka kishte pyetur se pse 1,7 milionë euro të kapitalit të KEP-it ishin investuar në rrjet, përderisa dukej që degët në Irlandë, Mal të Zi dhe Serbi nuk kishin ofruar fare shërbime.

Themelimi i kompanisë private të KEP, Banka KEP, në pronësi të KEP Holding me seli në Delaware, po ashtu ka qenë në kundërshtim me ligjet që rregullojnë funksionimin e OJQ-ve në Kosovë, thuhet në raportin e BQK-së.

Udhëheqësi i zyrës për monitorim të OJQ-ve, z. Kosumi, ka paraqitur një vlerësim zyrtar, të parë nga BIRN, duke treguar në detaje se pse është e jashtëligjshme për OJQ-të që të mbajnë aksione, pasi që ligji për OJQ-të nuk e lejon specifikisht një gjë të tillë.

Për dallim prej kësaj, analiza ligjore e bërë nga vetë KEP thekson që KEP nuk mundet që drejtpërdrejtë të themelojë një kompani në Kosovë por mund të jetë aksioner përmes një dege të jashtme.

Nuk është e pazakontë në shumicën e vendeve që OJQ-të të themelojnë kompani që kanë qëllime bamirësie, por pikëpamja e Kosumit doli fituese dhe KEP u detyrua që të mbyllë degët e saj jashtë vendit që nga viti 2011 dhe tutje.

Selia e KEP në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla
Selia e KEP në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Beteja ligjore dhe një faturë e vjetruar taksash

KEP-i vazhdon të jetë një aktor me rëndësi në tregun e shërbimeve financiare në Kosovë, por kjo OJQ akoma përballet me një numër rastesh në gjykata, përfshirë pretendimin e Kagait për shkarkim të padrejtë, që akoma pret gjykimin dhe është kontestuar nga ish-punëdhënësi i tij.

BIRN-i po ashtu ka zubuluar që kredidhënësi mikrofinanciar po ashtu përballet me një faturë të mëhershme të taksave nga Agjencia Tatimore e Kosovës nga viti 2009 pasi që asaj i ishte hequr statusi i “përfituesit publik” në vitin 2014. Kjo nënkupton që ndonëse KEP akoma konsiderohet OJQ, asaj i kërkohet që të paguajë tatimin në fitim.

Vendimi ishte marrë në nëntor të vitit 2014 pasi që KEP kishte dështuar që t’a mbyllë degën e saj “të jashtëligjshme” ICCED me seli në Dublin.

Aktualisht KEP është duke e kundërshtuar vendimin dhe ka argumentuar që mbyllja e ICCED-së është në duar të likuiditorëve të saj në Dublin. Sidoqoftë, ajo i ka ndarë anash 240.000 euro në rast se detyrohet që të paguajë ATK-në.

Ndërkohë, ish-zëvëndës drejtori ekzekutiv Arten Zikaj dhe administratori ndërkombëtar i emëruar nga BQK, janë nën hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare – kjo sipas një dokumenti zyrtar të Policisë së Kosovës të datës prill 2014, pjesë të të cilit i ka parë BIRN-i.

Rasti tani është në zyrën e prokurorit special të Kosovës i cili ka thënë që nuk dëshiron të komentojë për raste që janë akoma duke u hetuar.

Arten Zikaj, që tani mban një pozitë të lartë në një bankë shqiptare, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që ka qenë nën hetime të policisë për kohën kur ka qenë zëvëndës drejtor ekzekutiv në KEP.

“Kjo nuk më shqetëson pasi që unë mendoj që kam bërë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale si dhe kam punuar me përkushtim”, tha ai.

Ish-administratori Boribond ka refuzuar që të komentojë.

Loja e fajësimit

Vendimi për të hapur një hetim policor ndaj Jacques Boribond, administratorit ndërkombëtar të emëruar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), për të mbikëqyrur KEP-in gjatë kohës kur ky institucion ishte afër shkatërrimit në vitin 2011, habiti shumë njerëz.

Kjo për shkak se anëtarët e bordit dhe zyrtarët e lartë të kritikuar nga auditorët, Zyra monitoruese e OJQ-ve të Kosovës dhe Banka Qendrore, besohet të mos jenë në mesin e atyre që po hetohen.

Një zyrtare e lartë e punësuar brenda BQK-së në kohën e krizës i tha BIRN-it që në fakt Boribond e kishte shpëtuar këtë OJQ.

“Meritat i takojnë administratorit të pavarur, që ka bërë një punë të shkëlqyer në menaxhimin e bankës” i tha ajo BIRN-it në mënyrë anonime. Ajo beson që akuzat për pothuajse shkatërrimin e KEP-it duhen drejtuar tek bordi dhe tek dështimi i zyrës për monitorim të OJQ-ve për të vepruar më herët.

“Këtu kemi faj apo përgjegjësi kolektive, që përfshijnë BQK-në, Zyrën për OJQ, por kryesisht është bordi i KEP që duhet fajësuar më së shumti”, tha ajo, duke shtuar: “Unë besoj që Zyra për OJQ nuk ka pasur në atë kohë resurset e mjaftueshme njerëzore për të monitoruar të gjitha OJQ-të”.

Johan Ketelers, Sekretar i përgjithshëmm i ICMC-së dhe udhëheqës i tanishëm i KEP, i ka thënë BIRN-it që ICMC-ja, një organizatë zvicerane për bamirësi dhe bashkëthemeluese e KEP, kishte kërkuar sqarime nga KEP në vitin 2006 për shërbimet e reja që planifikoheshin të ofrohesin para nënshkrimit të kontratës së re të bashkimit.

“Marrëveshja e re e bashkimit nuk është nënshkruar asnjëherë dhe KEP ka vazhduar tutje duke marrë vetë përsipër përgjegjësitë ligjore,” tha ai. “ICMC-ja nuk i kishte mbushur më dy ulëset e parapara me statut. Prandaj ne kemi pritur ndryshim të statutit”.

Ai ka shtuar që kur ICMC-ja ishte pyetur të ndërhynte në vitin 2010 dhe ishte zbuluar që statuti nuk ishte ndryshuar, kjo ndihmoi në zgjidhjen e krizës së qeverisjes, ndaloi “privilegjet financiare” të dhëna personelit dhe ndaloi “frikën që mjetet financiare do të shkonin jashtë vendit”.

Ish anëtari i bordit Conlon tha që KEP ka qenë një “organizatë e shkëlqyer” dhe se ka qenë “totalisht i ofenduar dhe zhgënjyer” nga kaosi që çoi në intervenim të BQK-së.

“Kjo [KEP] kishte potencialin që të bënte një punë të mrekullueshme dhe jo të përshkallëzohej në tentimin për t’u bërë vetëm një reflektim i një banke”.