Konferenca e PDK-së | Foto: KALLXO.com

PDK Prezanton Video Ku Bartet Kutia me Vota

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar një video-incizim ku sipas saj shihen lëvizje të komisionarëve e vëzhguesve brenda një shkolle në qytetin e Prizrenit.

Përmes këtij video-incizimi, PDK-ja pretendon se aty shihet një vëzhguese e Lëvizjes Vetëvendosjes që bart një kuti votimi.

Gjatë video-incizimit shihen 2 persona që lëvizin nëpër korridor të shkollës me një kuti të votave në duar.

Sipas video- incizimit të publikuar nga PDK-ja, kjo situatë kishte ndodhur brenda një intervali kohor rreth 10 minuta, kur ora ishte pak më shumë 21:00, atëherë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte dalë me rezultatet preliminare.

Të pyetur nga KALLXO.com në lidhje me këtë detaj se çfarë dyshime ka PDK-ja për këtë lëvizje të kutisë, çka ata dyshojnë që ka mundur të ndodhë me këtë kuti, nëse ka pasur mbushje të kutisë, apo diçka të tillë,  anëtari i KQZ-së që vjen nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi nuk dha një sqarim të saktë, por vetëm tha se ka pasur lëvizje të personave të paautorizuar në qendrën e votimit

“Dyshimet e krejt ditës ku nëpër të gjitha qendrat e votimit në Prizren ka pasur manipulime, transportim të materialit zgjedhor të ndejshëm të personave të paautorizum, marrje pjesë në vendvotim të personave të paautorizum duke përfshi kandidatë për asamble, mospërputhje të rezultateve, përfshirë edhe trenin bullgar që personat e paautorizuar i kanë poseduar materialet zgjedhore dhe kanë mundur të manipulojnë me to, dyshimet tona janë të bazuara”, tha në mes tjerash Gjoshi.

Ndërsa, sipas Blerand Stavilecit, ky incizim është vetëm një segment i dyshimeve që ka PDK-ja për keqpërdorime në Prizren gjatë tërë asaj dite.

“Shihni fotografinë e përgjithshme, sepse ky ishte një segment për të cilin po flasim dhe ku ka dyshime të bazuara, por nëse marrim fenomenin e trenit bullgar, ai ka ndodhur në Prizren e në Prishtinë, është një metodë të cilën e ka përdorur kjo parti”, tha Stavileci.

Ai më tutje tha se këto janë argumente për organet e drejtësisë.

“Në të njëjtën kohë edhe sa i përket transportimit, ku dëshmohet me fakte se veprime të tilla manipuluese dhe abuzive kanë ndodhur, dhe kur kësaj ia shtojmë faktin që atyre nuk iu ka mjaftuar vetëm dita deri në orën 7, por edhe pas orës 7 ata kanë bërë veprime të tilla dhe nëse e shohim fotografinë e përgjithshme këto janë argumente të mjaftueshme dhe për organet e drejtësisë por edhe për organet e thera siç është PZAP-ja dhe të marrë vendime meritore”, tha Stavileci.

Ai ka deklaruar se PDK-së do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për këtë çështje.

Sipas tij, PDK-ja është përballur më situata të tilla kur është dashur të shkohet në rivotim ose rinumërim dhe asnjëherë nuk u është frikuar atyre.

Në zgjedhjet e 19 nëntorit në garën për qytetin e Prizrenit ishin PDK dhe VV, ku kjo e fundit ka dalë e para me kandidatin Mytaher Haskuka.

PDK-ja nuk është pajtuar me këto rezultate dhe po pretendon se ka pasur keqpërdorim të votave.