PDK: Jemi partia më e votuar shqiptare në Veri

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo parti ka dalë fitimtare përballë partive tjera shqiptare, pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e Veriut.

“Zgjedhjet për kryetarin e komunës, në katër komunat e veriut, të mbajtura sot, me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi për Mitrovicë të Veriut, Shaqir Hetemi për Leposaviq, Hysen Mehmeti për Zubin Potok dhe Ilir Peci për Zveçan, nga informatat e deritashme kanë shënuar fitore kundrejt kandidatëve tjerë shqiptarë”, ka deklaruar kjo parti përmes një komunikate për media.

PDK ka dhënë edhe disa shifra nga rezultatet e para në disa prej vendvotimeve.

“Sipas informatave të para nga komisionarët, procesi zgjedhor në disa vendvotime, dëshmon epërsi të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kundrejt partive tjera shqiptare. Kështu, në fshatin Lipë të Zveçanit, kandidati i PDK-së për kreun e komunës, Ilir Peci ka fituar 82 vota, kundrejt Vetëvendosjes, 5 vota. Ndërsa në Zveçan, numri total i votave për PDK-në është 117, ndërsa Vetëvendosje ka marrë në koalicion me të gjitha partitë, 55 vota”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, kjo parti doli mirë edhe në Leposaviq dhe disa vendvotime tjera në Mitrovicën Veriore.

“Ndërsa në Leposaviq, ku kandidat është Shaqir Hetemi, PDK-së, ka fituar 110 vota, kundrejt 62 votave. Ndërsa në vendvotimin Kodra e Minatorëve, po ashtu, prinë kandidatja e PDK-së, Gonxhe Çaushi, 100 kundrejt 95. Në lagjen 7 Shtatori, Znj. Çaushi ka fituar 109 vota, kundrejt 33 votave të Vetëvendosjes dhe partive tjera në koalicion me të”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, në Zubin Potok, kandidati i PDK-së, për kreun e kësaj komune, Hysen Mehmeti, ka fituar 112 vota, kundrejt 98 votave të krejt partive shqiptare bashkë.

https://kallxo.com/veriu-ne-zgjedhje-ne-votim-dolen-42-per-qind/