Zyrtarët e PDK-së në Prishtinë padi ndaj komunës | Foto: KALLXO.com

PDK-ja Kallëzim Penal Ndaj Shpend Ahmetit e Dardan Molliqajt

Dega e PDK-së në Prishtinë dorëzoi sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për punësime të paligjshme në Komunën e Prishtinës.

Dorëzimin e kallëzimit për siç thanë punësimin e 486 militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, e bënë sekretari i përgjithshëm i Degës së PDK-së në Prishtinë Bujar Cakolli bashkë me avokatin e autorizuar të PDK-së Skender Musa.

Avokati Musa tregoi se kallëzimi penal lidhet me veprat “krim i organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mohim i punësimit në bazë të konkursit publik”, ndërsa tregoi se ky kallëzim është bërë ndaj Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, ish-sekretarit organizativ dhe deputetit aktual të Vetëvendosjes Dardan Molliqaj dhe disa drejtorëve komunalë në kryeqytet.

Ai tha se ka pasur punësime pa konkurs publik dhe kjo “është dirigjuar” nga ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, ndërsa “është zbatuar nga kryetari Ahmeti.

“Kjo u ka pamundësuar qytetarëve të tjerë të  Republikës së Kosovës që të konkurrojnë në konkurse publike për punësim në Komunën e Prishtinës”, tha Musa.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Degës së PDK-së në Prishtinë Bujar Cakolli paralajmëroi edhe kallëzime të reja penale për zyrtarë të Komunës së Prishtinës.

“Në javët në vazhdim ne do të vazhdojmë edhe me kallëzime të tjera penale për keqpërdorime dhe abuzime të tjera që ka bërë kryetari i komunës dhe kjo klikë qeverisëse në Komunën e Prishtinës”, tha Cakolli.

Për punësime partiake Cakolli e ka akuzuar udhëheqjen e  Komunës së Prishtinës edhe në disa konferenca të mëhershme për gazetarë.

http://kallxo.com/pdk-akuzon-vv-ne-per-punesime-te-militanteve-shpend-ahmeti-akuzon-kadri-veselin/

Ndaj këtyre akuzave të PDK-së në Prishtinë kishte reaguar kryetari Shpend Ahmeti duke paralajmëruar padi ndaj subjektit politik që e akuzoi.