PDK: Gjykata Speciale është një re e zezë mbi Kosovën

Pas shkuarjes për intervistim në Gjykatën Speciale të dy ish-komandantëve, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, ka reaguar PDK, e cila ka thënë se Gjykata Speciale është një re e zezë mbi Kosovën.

“Gjykata Speciale, është një e re e zezë mbi Kosovën, por është e përkohshme dhe beteja e radhës që do ta fitojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se beson përjetësisht në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njerëzit e saj, të cilët ishin të gatshëm të japin gjithçka nga vetja e tyre, për lirinë e popullit, për shtetin e Kosovës.

Ata e kanë vlerësuar si një dëshmi më shumë për gatishmërinë e secilit pjesëtar të UÇK-së për t’iu përgjigjur çdo pretendimi, përgjigjen e Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës për ftesat e Gjykatës Speciale.

“E vërteta do të triumfojë edhe një herë në Hagë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Dhe e vërteta e vetme e luftës sonë është mbrojtja e popullit, lufta për liri dhe drejtësi, kundër një pushteti vrastar të Serbisë”, vazhdon reagimi i PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të jetë gjithmonë përkrah vlerave të UÇK-së, pjesëtarëve të saj dhe përherë do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë, shteti i Kosovës është i shenjtë, e ardhmja e fëmijëve tanë është e shenjtë”, përfundon reagimi.