Ilustrim

PDK fsheh nga Policia përleshjen

Partia Demokratike e Kosovës është përkujdesur që ta fshehë incidentin që ka ndodhur në nëndegën e saj në Raushiq të Pejës.

Incidenti, i cili ka ndodhur dje gjatë një tubimi zgjedhor, nuk është raportuar fare në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com raportoi sot për incidentin që ka ndodhur në nëndegën e PDK-së në Raushiq, ku dyshohet se ka pasur edhe përleshje fizike.

Për shkak të këtij incidenti, zgjedhja e drejtuesve të nëndegës është shtyrë për një ditë tjetër, tha për KALLXO.com një anëtar i cili ka qenë në tubimin në fjalë.

Megjithatë, sipas këtij anëtari, në këtë rast nuk ka pasur përleshje, por vetëm shtyrje me fjalë.

Ai mohoi fjalët se ka pasur sulm me karrige.

Gjithsesi, pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë për një zënkë, shtyrje, ngritje zëri dhe përpjekje për të penguar konfrontimin.

Pavarësisht kësaj, Policia e Pejës nuk është informuar fare për rastin.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Pejës, Xhevat Ibraj.

“Nuk kemi informatë. Nuk kemi rast të iniciuar dhe askush nuk ka raportu në Polici asnjë lloj incidenti. Ndoshta kjo ka ndodhur por ne nuk kemi marrë raportim”, ka thënë Ibraj për KALLXO.com.

Sipas informatave të KALLXO.com, personi me inicialet L.V., ka sulmuar fizikisht disa anëtarë, duke hedhur karrige dhe duke sharë.