Kadri Veseli - FOTO KALLXO - 06.02.2019

PDK emëron Ministrin e ri të Inovacionit

Partia Demokratike e Kosovës ka nominuar Ministrin e ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë,Muzafer Shalën.

PDK ka njoftuar se Shala është doktor shkence në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it.

Muzafer Shala është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe vjen nga Dega e PDK-së në Vushtrri.

“Njëri nga parimet kryesore për të krijuar ndërmarrësi dhe inovacion është bashkëpunimi adekuat në mes industrisë dhe botës akademike, së bashku me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ne kemi shumë njerëz premtues në Kosovë. Fatkeqësisht shumë prej tyre po e lëshojnë vendin; qëllimi jonë është që ta ndalim zbrazjen e trurit dhe t’i japim rinisë sonë arsye për të qëndruar këtu. Një mjedis që i siguron rinisë sonë kushte dhe programe për t’i realizuar ëndrrat e tyre, për të implementuar idetë e tyre inovative – definitivisht do t’i bindë ata për të qëndruar. Ky është misioni jonë”, tha Kyetari i PDK-së Veseli.

Kreu i PDK-së tha se emërimi i Muzafer Shalës në pozitën e ministrit po ashtu dërgon mesazhin e duhur se PDK i jep hapësirën meritore njerëzve të rinj dhe premtues.

“Do të ketë akoma më shumë hapësirë në politikën tonë për njerëzit e shkathtë dhe të talentuar, dhe pikërisht PDK-ja është platforma e tyre. Njerëzit premtues që duan t’i shfrytëzojnë cilësitë e veta intelektuale, profesionale dhe morale, për ta zhvilluar e promovuar shtetin tonë, do ta kenë vendin meritor në PDK. PDK është e vetmja parti që jep mundësi reale për njerëzit e rinj dhe premtues”, tha Veseli.

Më parë, Ministër i Inovacionit ishte Besim Beqaj, mirëpo i njëjti dha dorëheqje pas vendimit të Kadri Veselit për ti larguar nga postet personat me aktakuza të PDK-së.

Beqaj akuzohet në rastin e njohur si ‘Pronto’.