Ministri Uran Ismaili - Foto: Facebook/UranIsmaili

PDK e bën LDK-në e VV-në përgjegjës për aferën 'Spitali'

Uran Ismaili, në cilësinë e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar ndaj pretendimeve se ai apo partia e tij janë përgjegjës për ndërtimin e një spitali privat në oborrin e QKUK-së.

Ai ka deklaruar se “Afera Spitali”, e nisur në vitin 2003, në Komunën e Prishtinës, nga zyrtarët më të lartë të LDK-së, ka përfunduar me licencimin e këtij spitali në vitin 2015 nga qeverisja e LDK-së, e cila sipas tij, sot mori një amnisti nga Partia Vetëvendosje.

“Në kohën kur janë marrë vendimet që kanë mundësuar licencimin e këtij spitali, të dy këto institucione, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë qenë nën qeverisjen e PDK-së, por nën qeverisjen e LDK-së dhe të Vetëvendosjes”, ka thënë Ismaili i cili është edhe Ministër i Shëndetësisë.

Tentimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje për ta shfajësuar LDK-në dhe vendimet e Ismet Beqirit e Sami Hamitit nga “Afera Spitali”, sipas Ismailit, ‘tregojnë se partia e Albin Kurtit është vënë nën komandën e Isa Mustafës, kundër të cilit Vetëvendosje kishte deponuar 72 dosje me pretendime për korrupsion’.

“Arsyeja pse sot po flasim për atë që unë, në konferencën e djeshme për media e quajta “Afera Spitali”, është insistimi i PDK-së për ta hetuar dhe zbardhur këtë çështje deri në fund. Besimi në institucione duhet të rritet me veprime konkrete nga organet e drejtësisë dhe jo me tentime për fshehjen e rastit, siç kemi parë se ka ndodhur me “Aferën Spitali” që nga viti 2003.”, ka shtuar ai.

Ministri i Shëndetësisë, ka theksuar se Vetëvendosje ka udhëhequr me komunën e Prishtinës, ashtu siç e ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë, LDK-ja në vitin 2015.

“Cilat veprime apo mosveprime e kanë mundësuar finalizimin e këtij projekti që ka ngritur kaq shumë dyshime për korrupsion. Pse ka mbetur i heshtur ky rast deri tash kur e ngritëm ne si çështje? Është evidente që LDK dhe Vetëvendosje tash reagojnë për ta mbrojtur njëra-tjetrën dhe për të krijuar huti, vetëm pas kërkesës së qartë të PDK-së për hetimin e plotë të këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës.”, ka deklaruar më tej Ismaili.

E krejt në fund, ai ka thënë se ‘nuk do të pushojnë deri sa drejtësia të thotë fjalën përfundimtare për “Aferën Spitali”.’

Lëvizja e Vetëvendosje sot ka akuzuar presidentin aktual Hashim Thaçi, se kishte marrë vendim që ta lejonte ndërtimin e spitalit privat në oborrin e QKUK-së.

Anëtarët e VV-së, Arben Vitia dhe Isuf Hulaj në një konferencë për media kanë thënë se me vendimin e kryeministrit të atëhershëm në vitin 2009, është lejuar ndërtimi i këtij spitali privat.

https://kallxo.com/vv-hashim-thaci-lejoi-ndertimin-e-spitalit-privat-ne-oborrin-e-qkuk-se/