Zyrtarë të Partisë së Drejtësisë - Foto: PD

PD Organizon Kuvend Zgjedhor në Shtator

Këshilli Drejtues i Partisë së Drejtësisë (PD) u ka bërë thirrje të gjitha degëve të saj që t’i japin mbështetje iniciativës dhe të fillojnë përgatitjet për organizimin e kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, i cili do të mbahet gjatë muajit shtator.

Kështu ka njoftuar përmes një komunikate PD pas takimit të Këshillit Drejtues që është mbajtur dje, e i cili është kryesuar nga nënkryetari Jeton Svirca, nënkryetarja Labinota Demi-Murtezi, njëherit deputete e Kuvendit të Kosovës, si dhe sekretari i përgjithshëm Fidan Mustafa.

Sipas komunikatës, ky Këshill Drejtues paraqet përfaqësimin e 21 degëve të PD-së, përkatësisht 16 kryetarëve të degëve prej 24 sa ka kjo parti dhe 52 anëtarëve të Këshillit Drejtues nga gjithsej 92.

Këshilli Drejtues në këtë mbledhje ka vendosur unanimisht që të shfuqizojë të gjitha vendimet jostatutore të një pjese të kryesisë së Partisë së Drejtësisë, të marra në dy mbledhjet e fundit të kryesisë, të cilat nuk kanë patur kuorumin e mjaftueshëm. “Këshilli Drejtues i PD-së ka shfuqizuar  vendimin e kësaj pjese të Kryesisë për pezullimin e Sekretarit të Partisë së Drejtësisë, si dhe të Kordinatorit Politik për degë”, thuhet në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, për shkak të konstatimit të shkeljeve të statutit nga një pjesë e Kryesisë aktuale, Këshilli ka vendosur që të legjitimojë iniciativën politike brenda PD-së për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm zgjedhor.

Kreu i kësaj partie, Ferid Agani, ka dhënë dorëheqje më 17 qershor të këtij viti nga posti i ministrit të Ambientit pas aktakuzës së ngritur kundër tij dhe 63 personave të tjerë për keqpërdorimet e dyshuara në rastin e njohur si “Stentat”.

http://kallxo.com/ferid-agani-kerkon-lirim-nga-detyra/

Në kohën kur dyshohet se janë kryer veprimet e paligjshme, Agani ishte ministër i Shëndetësisë.

Pas largimit nga detyra e ministrit, zyrtarë të PD-së kishin thënë se nuk e kanë ndërmend të japin ndonjë kandidat tjetër për ta zëvendësuar atë në postin e ministrit, duke theksuar se presin që procesi të zhvillohet shpejt dhe pasi të përfundojë dhe me shpresën se do të shpallet i pafajshëm – Agani të kthehet në pozitën që kishte.

http://kallxo.com/agani-pazevendesueshem-per-pd-ne/