Facebook

Pazaret politike në komunën e Lladrovcit, Asamblisti ‘rehaton’ gruan në Komunë

Afrore Kajtazi– Sinani, gruaja e asamblistit në komunën e Drenasit nga radhët e AKR-së, Petrit Sinani, i cili ju bashkëngjit së fundmi grupit të asamblistëve të PDK-së, është punësuar në këtë komunë si zyrtare e Shërbimeve me Qytetarë.

Nga ky konkurs publik Kajtazi-Sinani ishte përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme me 76 pikë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Petrit Sinani e konfirmoi që gruaja e tij punon në këtë pozitë.

“Po është e vërtetë, nuk po e di kur po në vitin e kaluar”, u përgjigj asamblisti.

Ndërkaq, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrtarët në Komunën e Drenasit, por të njëjtit thanë se nuk janë në dijeni që e punësuar është gruaja e asamblistit.

“Po është punëtore të na në Komunë, por nuk pe di që është gruaja e tij”, ka thënë zëdhënësi i komunës Bekim Dobra.

Petriti Sinani kishte qenë kundërkandidat i Lladrovcit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe deri në dhjetor ishte asamblist i AKR-së, derisa Lladrovci i uroi mirëseardhjen në PDK përmes një postimi në ‘Facebook’.

 

 

Por, kur u pyet nga KALLXO.com Sinani e mohoi aderimin e tij nga AKR në PDK.

“Jo, jo, na kemi bashkëpunim veçse koalicion. Nuk kam kalu në PDK”, tha ai.

Për këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli, për të kuptuar nëse Sinani i përket ende kësaj partie, Makolli tha se nuk është në dijeni për aderimin e tij pasi që Sinani nuk ishte deklaruar në AKR.

“Nuk e di realisht, e kam pa edhe unë në një postim të kryetarit të Drenasit, por ai nuk është deklaruar zyrtarisht për aderimin, pasi që duhet disa procedura”, tha Makolli.

Mirëpo, për KALLXO.com e ka konfirmuar ish-nënkryetari i PDK-së në degën në Drenas, Milaim Hajdari.

“Petrit Sinani zyrtarisht i është bashkangjitur grupit të PDK-së brenda Kuvendit”, u shpreh ai.

Të martën ka raportuar se shefi i kabinetit të zyrës së kryetarit Ramiz Lladrovci, Flamur Curri ka punësuar tre anëtar të familjes në sektorin publik, ndërsa së shpejti mund të përfitoj një vend pune edhe anëtari i katërt.

 

https://kallxo.com/familjaret-e-shefit-te-kabinetit-te-ramiz-lladrovcit-mesyjne-pozitat-publike/?fbclid=IwAR3MlfApyht7r7Hr6eAOLNu75dfICme93uZKb6i_02zGesC7B7L0hRSxaqw

.