Naim Ismaili, PDK, Shtime. Foto: Kallxo.com

Pasuria gjysmë milionëshe e kryetarit të Shtimes

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka deklaruar se posedon gjysmë milioni pasuri të paluajtshme ose saktësisht 513 mijë euro.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ismajli ka deklaruar se në pronë të paluajtshme hynë tri toka, dy toka bujqësore, një tokë pyjore, një shtëpi dhe një shtëpizë vikendi.

Të gjitha janë deklaruar se janë në emër të Ismajlit përveç një toke- truall i cili është deklaruar në emër të përbashkët.

Kryetari i Shtimes vozit veturë vlera e së cilës është 15 mijë euro ndërsa ka të deklaruar edhe një veturë tjetër të përbashkët, vlera e cila është 4 mijë euro.

Ismajli para të gatshme në institucione financiare ka gjithsej 27 mijë e 270 euro, ndërsa ka deklaruar se ka detyrime ndaj institucioneve financiare vlera e së cilës është 36 mijë euro.

Kryetari Ismajli ka deklaruar në AKK se të hyrat vjetore të tij nga pozita që mban në Komunën e Shtimes janë 16 mijë e 632 euro.

Ismajli merr pagë edhe si profesor në një nga kolegjet universitare në Prishtinë por edhe Fushë Kosovë.

Ai si të hyra vjetore nga profesioni i profesorit ka deklaruar se merr 12 mijë euro nga Kolegji AAB në Prishtinë dhe 2 mijë e 180 euro pagesë shtesë nga Kolegji i njëjtë në Fushë Kosovë.

Përveç pozitave të kryetarit e profesorit, Ismajli merr edhe mëditje nga udhëtimet jashtë vendit, shuma e së cilës është 1 mijë e 550 euro.