Pastrimi që S’Mjafton

Me anë të një njoftimi Zyra për Marrëdhënie me Media e Komunës së Prishtinës bën të ditur se kompanitë e kontraktuara për heqje të borës janë në terren.

“Komuna e Prishtinës njofton të gjithë qytetarët se po punon pa pushim në pastrimin e rrugëve të qytetit nga bora, në mënyrë që ato të jenë të qarkullueshme për komunikacion. Të gjashtë kompanitë e kontraktuara i kanë te gjitha ekipet e tyre në terren,” thuhet në njoftim.

Aty komuna e pranon se po ka vështirësi t’i dalë pastrimit në fund.

“Për shkak të intensitetit të madh të reshjeve të borës sa po pastrohen rrugët po mbulohen sërish, andaj këto ekipe do të punojnë edhe gjatë natës. Po ashtu, temperaturat e ulëta po i bejnë rrugët të rrëshqitshme, me ç’rast as kripa nuk po mjafton, andaj ekipet kanë filluar të hedhin edhe rërë,” vijon njoftimi i komunës.

Komuna bën thirrje për kujdes në komunikacion dhe inkuadrim në të me pajisje dimërore. Bora që nisi të bjerë në natën mes të shtunës dhe të dielës ka vështirësuar qarkullimin nëpër rrugë.