Thirrje për aplikim: Ngritja e vetëdijesimit të gazetarëve për raportimin mbi pastrimin e parave

A jeni gazetar apo gazetar i pavarur (freelancer) që dëshironi të thelloni njohuritë tuaja për pastrimin e parave? Nëse po, BIRN Kosova ju fton të aplikoni në programin dy-ditorë të trajnimit “Ngritja e vetëdijesimit të gazetarëve për raportimin mbi pastrimin e parave”, i krijuar për t’ju pajisur me njohuri dhe aftësi të rëndësishme në këtë fushë. Me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, ky program do të mbahet më 29-30 nëntor dhe do të mbledhë 20 pjesëmarrës.

Cili është qëllimi i trajnimit dhe çfarë do të mësoni?

Kosova është një nga vendet me performancë të ulët në trajtimin e rasteve të pastrimit të parave. Numri i rasteve të hetuara është i kufizuar dhe diskutimet publike mbi këtë temë janë të rralla dhe shpesh joprofesionale.

Për të krijuar një grup gazetarësh me njohuri të avancuara mbi llojet dhe skemat e pastrimit të parave, ky trajnim do të organizohet për gazetarë dhe freelancer. Programi dy-ditorë do të përqendrohet në ngritjen e vetëdijesimit për pastrimin e parave dhe raportimin mbi këtë temë. Programi synon të ofrojë një bazë të njohurive mbi: pastrimin e parave dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe shoqëri, llojet dhe skemat e ndryshme të pastrimit të parave, disa raste të pastrimit të parave në Ballkan, dhe sfidat me të cilat përballen institucionet në trajtimin e këtyre rasteve.

Elementet kryesore të programit:

– Ligjërata nga përfaqësues institucionalë: Sesione me përfaqësues nga Njësia e Inteligjencës Financiare, prokurorë nga Prokuroria Speciale, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

– Sesione të veçanta: Ekspertë nga Ambasada Britanike në Kosovë do të prezantojnë praktikat më të mira kundër pastrimit të parave.

– Ligjërata nga ekspertë: Pjesëmarrësit do të marrin njohuri nga ekspertë të certifikuar të gazetarisë hulumtuese në forenzikën financiare.

– Shkëmbim përvojash: Redaktorët dhe gazetarët që kanë kryer hulumtime ndërkufitare për pastrimin e parave në Ballkan do të ndajnë përvojat e tyre.

– Përfitim i njohurive për mekanizmat e kërkimit online për të gjurmuar rrjedhën e parave në Ballkan.

Për të siguruar qëndrueshmërinë e këtij programi dhe për të inkurajuar raportimin mbi aktivitetet e pastrimit të parave, BIRN Kosova do të ndajë pesë bursa, secila në vlerë 400 euro, për mbështetjen e prodhimit të pesë storieve gazetareske pas përfundimit të trajnimit.

Kush mund të aplikojë?

Gazetarë dhe gazetarë të pavarur (freelancer) të pasionuar për raportimin mbi pastrimin e parave dhe transparencën financiare.

Ku do të mbahet? 

Trajnimi dy-ditorë do të mbahet në hotel “Amazona”. Akomodimi gjatë trajnimit do të bëhet në të njëjtin hotel ndërsa transporti për në hotel nga Prishtina do të bëhet në mënyrë të organizuar.

Si të aplikoni?

Për të aplikuar në trajnimin “Ngritja e vetëdijesimit të gazetarëve për raportimin mbi pastrimin e parave”, klikoni KËTU. Afati i fundit për aplikim është më 25 nëntor 2024, ora 16:00.