Ministri japonez i Financave, Taro Aso - Foto: BBC/AFP

Pas skandalit, ministri japonez do ta kthejë pagën e 1 viti

Ministri i Financave i Japonisë, Taro Aso, ka deklaruar se do ta kthejë pagën e një viti të plotë pas skandalit me manipulim të dokumenteve zyrtare në Ministrinë që e drejton ai.

BBC raporton se një hetim i institucioneve japoneze kishte gjetur se emrat e kryeministrit Shinzo Abe, të bashkëshortes së tij dhe të ministrit Aso, ishin hequr nga dokumentet që kishin të bënin me shitjen e një toke me çmim të ulët.

Taro Aso e ka pranuar skandalin, i cili, sipas tij, e dëmton besimin e publikut në Ministrinë dhe Qeverinë. Por, ai e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.

Në një konferencë shtypi sot, ministri Aso tha se do ta kthejë pagën e tij të një viti.

“Falsifikimi i dokumenteve të Qeverisë është i papranueshëm dhe për keqardhje”, tha ai.

Paga mujore e ministrit të Financave është 274 mijë dollarë.

Siç raporton BBC, në vitin 2016, një organizatë e nacionaliste “Moritomo Gakuen”, themeluesi i së cilës ishte një mbështetës i njohur i kryeministrit Shinzo Abe, bleu disa tokë nga Ministria e Transportit për të ndërtuar një shkollë.

Më vonë ishte kuptuar që blerja ishte bërë për rreth një të gjashtën e vlerës së tregut dhe se gruaja e kryeministrit, Akie Abe, ishte zgjedhur si presidente nderi e kësaj shkolle, e cila më vonë kishte dhënë dorëheqje për shkak të akuzave se kishte lobuar për uljen e çmimit.