Prishtinë, banorët ankohen se komuna nuk i pyeti për ndërtimin e lartë pranë shtëpive të tyre

Disa banorë të lagjes ‘Tophane’ në Prishtinë po ankohen se komuna nuk është konsultuar me ta kur ka filluar vënia e gurthemelit të një objekti shumë katësh në atë pjesë

Ata po konsiderojnë se rrethojat e shtëpive të tyre rrezikohen nga ndërtimi në afërsi.

Banorët kanë bërë ankesë në Drejtorinë e Inspekcionit dhe Urbanizmit në Komunë për shkeljet që ata konsiderojnë se janë bërë në raport me ta.

Mahmud Ahmeti, Eroll Rimanishta dhe Nexhmije Veseli banorë në pjesën ku po kryhen punimet thanë për KALLXO.com se punimet po kryhen shumë afër shtëpive të tyre dhe kjo për ta paraqet rrezik.

“Nuk na ka pyetur askush për këtë ndërtim, komuna nuk është konsultuar me ne, madje edhe nënshkrimet për këto punime janë marrë në një zonë më larg prej këtu. Objekti është nisur shumë afër rrethojave të shtëpive tona, për shkak të tij nuk do kemi diell dhe dritë të mjaftueshme” ka thënë Ahmeti.

Tutje Ahmeti tha se ai dhe dy banorë të tjerë kanë nënshkruar një peticion dhe ankesë të cilat i kanë dërguar në drejtoritë përkatëse në komunë.

Drejtoria e Inskpekcionit në Prishtinë pas shqyrtimit të kësaj ankese, ka thënë se inspektorë të ndërtimit kanë dal në teren për të parë nëse ka rrezik të dhe nuk kanë konstatuar  një gjë të tillë.

Kurse pala e cila ka filluar punimet, sipas Komunës është e pajisur me leje ndërtimore në emër të investitorit “Melodia-ing” SH.P.K.

Nga komuna madje është thënë se pala e cila ka bërë ankesë është ftuar edhe në inspektim gjatë fillimit të punimeve.

Banorët të pakënaqur me përgjigjen e Komunës së Prishtinës janë drejtuar me ankesë edhe në Inspektoratin e ndërtimit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ku kanë kërkuar që të marrë hapa për shkeljet që janë bërë gjatë lëshimit të lejes ndërtimore.

Banorët e kësaj pjese kanë dërguar ankesë edhe në adresë të kryetarit, Shpend Ahmeti, por sipas tyre nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.