Arkiv: Ndertesa e Komunes se Mitrovices

Mitrovica zvarrit ndihmën për fëmijët e lindur gjatë 2020-ës

Në tetor të vitit 2020 Komuna e Mitrovicës gjatë një mbledhjeje emergjente kishte marrë vendim që çdo fëmije të lindur gjatë vitit 2020 në Mitrovicë, t’i dhuronte ndihmë financiare me vlerë prej 100 euro.

Komuna kishte hapur konkursin për aplikim, në të cilin kishin aplikuar 779 lehona. Nga aplikimet, 775 prej tyre kishin plotësuar kriteret, që i bie që komunës t’i kushtoj me 77.500 euro. Katër prej lehonave aplikuese, nuk janë përfshirë në listë, pasi zyrtarët komunal kishin vlerësuar se nuk i kanë plotësuar dokumentet në bazë të kritereve, meqë ishin banore të komunave tjera.

Të drejtën për këtë ndihmë e kanë pasur të gjithë fëmijët duke përfshirë edhe ata binjakë/e.

Por sipas një raporti të bërë në KALLXO.com nga qytetarë, thuhet se Komuna e Mitrovicës ende nuk ua ka dhënë ndihmën e premtuar familjeve të fëmijëve, të lindur gjatë vitit 2020.

Kjo është konfirmuar edhe nga zyra për informim e komunës së Mitrovicës.

Drejtoresha e Drejtorisë së Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Mitrovicës Jugore, Nazan Kërveshi ka thënë se nga ana e komisionit, procedurat e kompletuara janë dorëzuar që në muajin dhjetor të vitit 2020, por se ajo njuk jep ndonjë arsye përse nuk janë ekzekutuar pagesat.

“Procedurat e kompletuara janë dorëzuar më 07.12.2020 në Drejtorinë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik dhe tani ka mbetur që ata të bëjnë ekzekutimin e pagesave“, ka thënë Kerveshi.

Komuna e Mitrovicës kishte premtuar ndihmë me nga 50 euro edhe për personat e infektuar me COVID-19 deri me 9 nëntor 2020, sa kishte qenë i hapur afati i aplikimit, por as kjo ndihmë e aprovuar nga Kuvendi Komunal deri më tani nuk është ekzekutuar.