Rruga e pashtruar në fshatin Kralan, Gjakovë FOTO-KALLXO.com

Gjakovë, banorët e Kralanit presin asfaltimin e rrugës së premtuar ndër vite

Banorë të fshatit Kralan të Komunës së Gjakovës janë ankuar për mosasfaltimin e një rruge në këtë fshat.

Rruga ‘Himë Ahmetaj’, e cila është e gjatë rreth 3 kilometra dhe lidh 7 shtëpi me pjesën tjetër të fshatit, është e vetmja rrugëdalje për banorët e kësaj pjese.

 

 

Bekim Ahmeti, banor i fshatit thotë se problemin me rrugën e kanë që nga pas lufta dhe sipas tij secila qeverisje që ka ardhur, ka premtuar asfaltimin e rrugës.

“Po tash pas luftës, që 20 vjet e knejna e kemi shtrru këtë rrugë me pare tona, me financa tona, deri atje, që ështe diku rreth 3 kilometra. Kush nuk na ka ndihmu prej komunës asnjë sen, prej se jetojmë në atë vend e deri më sot asnjëherë komuna jonë nuk na ka ndihmu me thonë që të iu ndihmojmë, një kamion zall, së paku një kamion zall nuk e ka pru, veq çka kemi financu na vet me paratë tona”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti thotë se problemi më i madh është se këtë rrugë e kalojnë çdo ditë fëmijët për të shkuar në shkollë dhe se për shkak të gjendjes, rruga paraqet një rrezik serioz për fëmijët.

“Fëmijët tonë shkollohen kësaj rruge, e bëjnë në këmbë, prej atjehit e knejna e bëjnë në këmbë. Iu bjen mu qu në 6 ora me u nis prej atje në mëngjes, tash dimrit siç dihet është terr, duhet me i pru këtu tek autobusi”.

Përveç problemit me rrugën, Ahmeti thotë se shtëpitë e asaj lagje nuk kanë qasje në ujësjellës.

“Ujin e marrim me njëfarë përroni qaty, kemi qel bunar, kemi provu me shpuse ka 70-80 metra nuk ban. I sheh bunarët janë të qelur nëpër oborr, të qelne të mbyllne sepse i kemi qel me dorë. Ujin e pijes e blejmë, e për nevoja të tjera e marrim ka të mujm, nëpër një përru qaty”.

KALLXO.com ka provuar të marr një përgjigje prej Komunës së Gjakovës, për të kuptuar se a është në planifikim asfaltimi i kësaj rruge dhe a do të bëhet zgjidhje për ujësjellësin, por deri në publikimin e këtij artikulli, komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa Bekim Ahmeti thotë se komuna ka premtuar rregullimin e rrugës vetëm në fushata zgjedhore.

“Vetëm përmes fushatave zgjedhore kështu, edhe përmes kryetarit të fshatit. Përgjigja e tyre është se është në projekt. E kemi parasysh. Qe 20 vjet projekti i tyre nuk është ka ndalet kurrë, nuk është ka i vjen fundi që 20 vjet”.