Ilustrim - Kuponët fiskal

Pas raportimit të qytetarit në KALLXO.com, ATK gjen parregullsi në një restorant në Mitrovicë

Pas pranimit të raportit të qytetarit se në një restorant në Mitrovicë nuk po lëshohen kuponë fiskalë,  Zyra ligjore e KALLXO.com i është drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës me kërkesë për inspektim.

Me ta pranuar Informatën, ATK  menjëherë ka angazhuar ekipin e inspektorëve dhe janë nisur për të kryer kontrollin në restorantin në të cilin pretendohej se nuk lëshoheshin kuponë fiskalë.

Raportimi i  qytetarit doli të jetë i saktë.

Restoranti doli se nuk ishte i pajisur fare me arkë fiskale.

Kontrolli rezultoi edhe me gjetjen e parregullsive të tjera në atë subjekt pasi që përpos mospajisjes me arkë fiskale subjekti nuk kishte as libra të blerjes e shitjes.

Të gjeturat e konstatuara u dërguan te Zyra për shqiptimin e gjobave.

Sikurse në ketë rast parregullsi ishin gjetur edhe te një tjetër subjekt për të cilin qytetarët kishin raportuar se nuk lëshon kuponë fiskalë.

https://kallxo.com/pas-raportimit-ne-kallxo-com-inspektoret-e-atk-se-gjejne-shkelje-ne-nje-subjekt-afarist-2/

KALLXO.com inkurajon qytetarët që t’i raportojnë të gjitha rastet në të cilat qytetarët hasin në parregullsi, me qëllim që të luftohet korrupsioni, evazioni fiskal dhe ekonomia joformale.