Pas raportimit të KALLXO.com, prokurori Maqedonci largohet nga rasti i studentes që u ankua për ngacmim seksual

Rexhep Maqedonci, prokurori i cili ishte i ngarkuar për të hetuar një rast të pretendimit për ngacmim seksual është larguar nga hetimi i këtij rasti.

Pas disa muajve hulumtim, KALLXO.com në mars të këtij viti publikoi një bisedë të zhvilluar me prokurorin Rexhep Maqedonci, i cili gjatë bisedës dëgjohej duke dhënë deklarata paragjykuese për rastin ende pa e intervistuar viktimën.

Lajmin për largimin e tij nga hetimi i këtij rasti e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.

Në pyetjen e KALLXO.com nëse prokurori Rexhep Maqedonci ishte larguar vetë nga ky rast apo Prokuroria e kishte larguar, Beka u përgjigj se bashkërisht me prokurorin Maqedonci e kanë marrë një vendim të tillë.

“Bashkërisht, në bisedë e sipër me të ka vendos me u largu nga rasti”, deklaroi kryeprokurori Beka.

Në hulumtimin e publikuar nga KALLXO.com, prokurori Maqedonci gjatë një bisede telefonike dëgjohej duke e quajtur “të poshtër” vajzën që ka ngritur rastin, duke e paragjykuar epilogun e rastit.

“O i kam shiku të gjitha deklaratat, nuk ka aty ngacmim seksual, po më ngacmon ky mua apo unë ty, por njerëzit e poshtër deri në atë masë bijnë nga mungesa e aftësive profesionale dhe kualiteti për me e dhënë një provim si duhet dhe me nder, mundohen me e shantazhu një njeri të pafajshëm. Ai mund të bëjë gjithçka por ngacmim seksual aty nuk ka më sa kam pasur unë me nënën time”, ishte shprehur prokurori Maqedonci.

Ai madje e kishte quajtur “të poshtër” edhe burrin e studentes i cili ishte përfshirë në një konflikt me profesorin.

“Një njeri i poshtër një “degjenerik” u mundu me ia lënë fajin. Ai ka shku me e sulmu se pse gruaja nuk e ka dhënë provimin, mandej jo ky ja ka lyp gruas time, i ka thënë gruas time a po vjen me flejtë me mua… edhe gruas time mundet me i thënë dikush a po vjen me flejtë por ky nuk është ngacmim, me flejtë nuk ka kurrgjë, kurrfarë zarari nuk ka me flejtë… Krejt ato janë shpifje janë rrenë të kulluara, aty gjithçka mund të ketë por ngacmim seksual shanse për dynja nuk ka por njerëzit e lig mundohen, nuk e kanë gajle me e arrite një qëllim të vetin, ja ka lyp gruas para tre viteve i ka thënë a po vjen me flejtë me mua e ky e lajmëron pas tre viteve. A është njerëzore bre kjo?”, pati thënë Maqedonci.

Megjithë konstatimet e dhëna në fillim të bisedës se rasti është një shpifje, prokurori në bisedën e para disa muajve kishte thënë se do t’i marrë në pyetje dhe burrin edhe gruan për të sqaruar situatën.

“Unë kam me i marrë në pyetje edhe burrin edhe gruan dhe besoj që kam me ja u bë me argumente dhe jo me inati. Nëse ti i thu burrin tënd, e burri yt paraqet diçka pas tre viteve që ty të ka ndodhë diçka, a ka kuptim kjo, a ka logjikë, a është njerëzore kjo, a ka njëfarë edukate, a ka diçka? Kjo ndodh veç te ne. Veç kam me i marrë në pyetje këta pas tre viteve që u ka rënë në mend, unë kam me i marrë ata personalisht në pyetje, kësmet në pastë bërë Zoti edhe vallahi kanë me i ra pishman që i ka falë Zoti”, kishte deklaruar prokurori Maqedonci gjatë bisedës rreth rastit.

Pas publikimit të këtij hulumtimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i dhjetëra organizatave nga shoqëria civile të cilat kishin kërkuar shkarkimin e prokurorit Rexhep Maqedonci.

Rrjedha e ngjarjes

Në njërën nga mbledhjet e senatit të UP-së ishte përmendur një pretendim për ngacmim seksual brenda këtij institucioni.

Kur KALLXO.com ka shfletuar dosjen e rastit, në të shkruhet se studentja kishte pretendime se ishte ngacmuar seksualisht.

Dosja e policisë nënvizon se studentja i ishte nënshtruar një provimi te profesori në fjalë por nuk kishte arritur ta kalonte provimin.

Pasi që kishte rënë nga provimi, studentja e kishte rrëfyer bashkëshortit të saj për atë se çka kishte ndodhur para dy viteve kur profesori i kishte ofruar asaj që ta kalonin një natë së bashku.

“Me të kuptuar se çfarë kishte ngjarë, bashkëshorti i studentes i revoltuar i kishte shkuar në zyre profesorit dhe nga i njëjti kishte kërkuar llogari se pse ai ja kishte ngacmuar seksualisht bashkëshorten, e sipas deklaratës së profesorit të dhënë në Polici, më pas bashkëshorti i studentes e kishte sulmuar profesorin”, thuhet në dosjen e policisë.

Për këtë rast është lajmëruar edhe Policia dhe pastaj është ngritur kallëzim penal ndaj bashkëshortit të studentes e cila pretendon se ka qenë pre e ngacmimit seksual nga profesori i saj.

Kallëzimi penal në rast ishte ngritur vetën ndaj bashkëshortit ndërsa në dosjen që policia e kishte dërguar në prokurori deklarata e vajzës ishte shënuar si deklaratë e dhënë në cilësinë e dëshmitares jo edhe të viktimës.

23 Maj 2019 - 15:23

Blerta Iberdemaj 23/05/2019 - 15:23
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend