Ilustrim: Mbyllja e një lokali nga ATK - Foto: KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO.com mbyllen dy bastore në Fushë-Kosovë

Dy bastore janë mbyllur në Fushë Kosovë pas raportimit të qytetarëve në KALLXO.com.

Pas raportimit të qytetarëve në KALLXO.com se në disa lokacione në Fushë-Kosovë po operojnë lokale të lojërave të fatit pa leje dhe në afërsi të shkollave bëri që ky rast të trajtohet me seriozitet nga hulumtuesit e KALLXO.com.

Informacioni i verifikuar është bartur tek zyra e standardeve profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës, e cila rastin e ka bartur te departamenti përkatës.

ATK-ja, Departamenti për Lojëra të Fatit, sot duke u bazuar në raportimin e KALLXO.com ka kryer kontroll në dy lokacione në Fushë-Kosovë dhe një lokacion në fshatin Grabovc të kësaj komune.

Në dy lokale në Fushë-Kosovë ATK ka gjetur se bastoret punonin ilegalisht.

Kurse, në lokacionin në fshatin Grabovc është kontrolluar një lokal afër një shkolle. Lokali ishte i mbyllur, pastaj është hapur nga pronari.

Brenda lokalit nuk është gjetur asgjë edhe pse sipas pronarit më herët lokali ka qenë bastore për një kohë të shkurtër.

Muaj më parë, BIRN (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese), Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së Shoqërisë Civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit në mes të BIRN, Ambasadës britanike dhe Democracy Plus është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.

BIRN inkurajon qytetarët që të paraqesin rastet gjithmonë ku dyshohet për shmangie tatimore.