Ilustrim: Mbyllja e një lokali nga ATK - Foto: KALLXO.com

Pas raportimit në KALLXO.com, mbyllet bastorja në Strellc

Raportimi i qytetarëve në platformën KALLXO.com, se në fshatin Strellc të Deçanit dhe fshatin Mazrekaj të Prizrenit funksionojnë bastore në afërsi të shkollave bëri që hulumtuesit e BIRN t’i drejtohen menjëherë  ATK-së me kërkesë për inspektimin e këtyre dy lokaleve.

Me ta pranuar kërkesën nga BIRN, inspektorët tatimorë të njësitit për lojëra të fatit dolën menjëherë në teren.

Raportimi i qytetarit se në afërsi të shkollës në Strellc të Deçanit funksionon një bastore doli të jetë i saktë.

Inspektorët tatimorë në atë lokal gjetën libra të basteve dhe pas konstatimit të tyre vendosën që t’ia vejnë shiritin atij lokali.

Inspektorët vizituan edhe fshatin Mazrrekaj në Prizren mirëpo atje nuk arritën të gjenin ndonjë bastore që operonte në afërsi të shkollës.

Edhe gjatë javës së kaluar në bazë të raportimit të qytetareve në KALLXO.com, inspektoret tatimorë mbyllën dy bastore të cilat ishin të pa licencuara dhe në afërsi të shkollave në Fushë Kosovë.

https://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-mbyllen-dy-bastore-ne-fushe-kosove/

Muaj më parë BIRN, Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së Shoqërisë Civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit në mes të BIRN, Ambasadës britanike dhe Democracy Plus është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.

BRIN, inkurajon secilin qytetar që ka informacione se në afërsi të shkollave dhe institucioneve historike dhe fetare t’i raportojnë në KALLXO.com.