Samiti i NATO-s, Foto: REL/AP

Pas kritikave, Trump thotë se ka raporte "shumë të mira" me Merkelin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, biseduan në margjina të një samiti të NATO-s në Bruksel.

Takimi u zhvillua disa orë pasi Trump e kritikoi Gjermaninë për shpenzimet në mbrojtjet dhe tha se ajo është “rob” i Rusisë për energjinë.

Duke folur pas takimit, Trump tha se me Merkelin ka ngritur çështjen e shpenzimeve të Gjermanisë në mbrojtje dhe marrëveshjen e saj me Rusinë për tubacionin e gazit natyror Rrjedha e Veriut 2.

Trump po ashtu tha se ai ka marrëdhënie “shumë të mira” me kancelaren gjermane.

Merkel, në anën tjetër, tha se ka biseduar me Trumpin për tregtinë dhe migrimin.

“Ne jemi partnerë”, tha Merkel, duke shtuar se pret shkëmbime të tjera me presidentin amerikan./REL