Pas alarmit për lodrat e rrezikshme, MTI largon nga tregu vetëm njërën nga to

Pas raportimit të Gazetës Jeta në Kosovë, së 6 nga 10 lodrat për fëmijë që janë testuar në një laborator të Holandës kanë dal se janë të rrezikshme për përdorim, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marr vendim që ta largoj nga tregu njërën nga to. Nga tregu është larguar vetë lodra e cila është e ndaluar edhe në tregun e BE-së, ndërsa pesë të tjerat janë ende në treg përkundër që MTI i posedon rezultatet se të njëjtat janë të rrezikshme.

“Me qëllim të verifikimit të komponentëve të sigurisë, inspektorati i Tregut me 10/04/2018 në procesverbalin e inspektimit, operatorit ekonomik “Luca” i ka ndaluar vendosjen në treg të produkteve lodra për fëmijë “Slime me Mbishkrimin Burrel-O-Slime në sasi 5184 copa”, thuhet në vendimin e MTI-së.

Gazeta JnK kishte raportuar se kjo lodër është e kategorizuar si lojë e rrezikshme dhe është në listën e Sistemit të Sinjalizimit të Shpejtë të Komisionit Evropian, si lodër që është ndaluar të shitet në vendet e BE-së. Por, në Kosovë e njëjta lodër mund të blihet për vetëm 1 euro nëpër dyqane të ndryshme.

Me nivelin e rrezikshmërisë së lartë, është vlerësuar përdorimi i kësaj lodre kimike, për shkak që pas analizave të testit të vetive kimike, e njëjta përmban sasi të mëdha të elementit kimik boron, e i cili mund të shkaktojë rrezik për shëndetin e fëmijëve duke dëmtuar edhe sistemin reproduktiv.

Në vendim thuhet se sekuestrohen 5 mijë e 184 copë të kësaj lodre, të cilat janë importuar nga operatori ekonomik “Luca shpk” me seli në Skenderaj.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensionit Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).