Partitë politike paguan 1 euro qira për pronat komunale

Komuna e Prizrenit kishte lidhur kontrata për shfrytëzimin e pronave komunale me çmim 1€ në muaj, për nëntë lokale për partitë politike të cilat përfaqësojnë Asamblenë Komunale. Për këto lokale nuk ishte organizuar ankand publik siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale.

Sipas zyrtarëve komunal lokalet ishin dhënë në shfrytëzim në bazë të vendimit të Asamblesë Komunale të vitit 2005.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerësoi se kjo dhënie në shfrytëzim e pronave publike pa ankand publik, eliminon mundësinë e pjesëmarrjes së personave tjerë të interesuar dhe dëmton parimin e transparencës dhe konkurrencës.

Po ashtu, pronat komunale po shfrytëzohen si tregje në Prizren nga persona që nuk posedojnë kontratë valide.

Kështu konstatoi Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për vitin 2017, ku thuhet se këta shfrytëzues nuk janë ngarkuar financiarisht nga komuna që nga skadimi i kontratës së fundit.

“Në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide, sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, ndërsa gjatë vitit 2017 nuk janë ngarkuar nga komuna. Sipas zyrtarëve komunal të gjitha procedurat kanë përfunduar dha ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratave”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së këta qiramarrës kanë obligime ndaj komunës në vlerë 182 mijë e 476 euro, që krahasuar me vitin e kaluar kanë zbritur obligimet e tyre për 103 mijë e 358 euro (obligimet e tyre ndaj komunës në vitin 2016 ishin 285,834€), pas marrëveshjeve të arritura nga komuna dhe qiramarrësit.