Partitë politike diskutojnë rreth dialogut Kosovë - Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ka njoftuar sot se të dielën do të udhëtoj për në Bruksel për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

Rreth fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi kanë diskutuar sot edhe përfaqësuesit e partive politike në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në këtë tryezë Abdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha duhet të ketë kujdes secili që merr përgjegjësi për dialogun.

“Ne si deputet nuk kemi informata se çka nënkupton marrëveshja përfundimtare për Kosovën.  Duhet të ketë kujdes secili që merr përgjegjësinë për dialogun. Fatkeqësisht ne nuk jemi përgaditur për dialog, jo sepse opozita nuk është përgatitur, por sepse qeveria aktuale është më e dobëta që nga pas lufta”, tha Hoti.

Ndërsa Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës tha se e ka problem t’i kuptojë ata që frikësohen të shkojnë në Bruksel.

“Në vendet ku Kosovën e thërret Brukseli dhe Washingtoni nuk duhet të frikësohemi të shkojmë. Një gjë e cila duhet të kuptohet nga të gjithë përfaqësuesit është rëndësia e këtij dialogu, po flasim për fazën finale, po flasim për një marrveshje të paqes”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se e cilëson si të pa arsyeshme largimin për të marrë pjesë në këtë proces.

Për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha ka shkuar në anën e karrierës së presidentit.

“Në anën në të cilën ka ecur karriera  e Hashim Thaçit ka ecur edhe dialogu me Serbinë. Kjo është e gabueshme dhe nuk ka lidhje me shtetin”, tha Konjufca.

Ai shtoi se Kosova ka shënuar fitore ndaj Serbisë vetëm deri në vitin 2010.

“Kosova deri në vitin 2010 ka shënuar disa fitore ndaj Serbisë. Por, prej vitit 2011 Kosova gjithmoë ka shënuar hapa mbrapa sidomos në raport me Serbinë”, shtoi Konjufca.

Sipas tij është shumë e nevojshme që të ndërrohet  kahja e dialogut, pasi që rezultati do të jetë negativ nëse vazhdon në këtë mënyrë.

Në këtë diskutim, Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokrate tha se fazat e më hershme të dialogut janë përcjellur me mungesë të përgatitjes së Kosovës.

Sipas tij përgjegjësia për këtë dialog duhet t’i takojë Kuvedit të Kosovës.

“Mendoj se partitë politike duhet të dakordohen që përgjgjësia t’i takoj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi duhet të miratoj platformën shtetërore të Kosovës i cili duhet të jetë dokument dhe udhërrëfyes për këtë proces”, tha Sejdiu.

Për përjashtimin nga ky proces foli edhe Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai tha se partitë opozitare nuk e kanë komoditetin të përjashtojnë veten nga ky proces.

“Besoj se përfaqësuesit e partive politike në opozitë nuk e kanë fare komoditetin të përjashtojnë vetën nga një proces i tillë. Nese nuk jemi pjesë e këtij procesi, besoj se procesi do të korruptohet keq”, u shpreh Nitaj.

Ai tha se dialogu është domosdoshmëri dhe sfidë për vendin dhe nuk është mirë që para se të fillojë procesi të flitet për kompromise.

Bilall Sherifi nga Nisma tha se nuk po flitet për përmbajtjen e procesit mes dialogut Kosovë – Serbi.

“Faza finale e dialogut Kosovë – Serbi është vërtetë fazë e rëndësishme, por vazhdimisht po flitet për formën, por jo për permbajtjen e procesit”, tha Sherifi.

Rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi u diskutua sot edhe në takimin e Partisë Social Demokrate me partitë e tjera politike.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-kuvendi-duhet-te-jete-bartes-i-dialogut-me-serbine/