Zoran Zaev - Foto: REL/EPA-EFE

Partitë në Maqedoni nisin bisedimet për marrëveshjen e emrit

Partitë qeverisëse të Maqedonisë kanë nisur bisedimet me homologët e tyre opozitarë në një përpjekje të fundit për t’i bindur ata të mbështesin marrëveshjen e emrit me Greqinë në parlament dhe të shmangin zgjedhjet e parakohshme.

Nënkryetari i Partisë kryesore Social Demokrate në Maqedoni, Petre Shilegov, konfirmoi të mërkurën se grupi i tij parlamentar ka filluar bisedimet me rivalët e tij opozitarë në parlament për t’i bindur ata të votojnë për marrëveshjen historike të emrit me Greqinë.

“Bisedimet u nisën fillimisht me ligjvënësit, për të testuar gatishmërinë e tyre për të mbështetur marrëveshjen. Më vonë, nëse është e nevojshme, niveli i bisedimeve do të rritet,” tha Shilegov.

Kreu i grupit parlamentar të Social Demokratëve, Tomislav Tuntev, tha gjithashtu për TV Alsat M të enjten se kishte planifikuar takime informale me tre deputetë të opozitës, pa zbuluar detaje.

Xhevad Ademi, një deputet i partisë më të vogël në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, tha se ata gjithashtu po përpiqeshin të kontaktonin me partinë opozitare VMRO DPMNE dhe se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte takuar kryetarin e  VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, pas referendumit të dështuar të së dielës, i cili nuk arriti të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme.

“Ne këmbëngulim që zgjidhjet të mos shterohen. Shpresojmë që në VMRO DPMNE të ketë politikanë përgjegjës dhe figura vizionare,” tha Ademi.

Mbi 90 për qind e votuesve në referendumin e së dielës së kaluar mbështetën marrëveshjen e emrit me Greqinë, por pjesëmarrja e ulët e bëri të pavlefshëm rezultatin.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se do të jepte kohë deri më 10 tetor në përpjekje për të bindur opozitën që të mbështesë marrëveshjen në parlament.

Në të kundërt, ai tha se mënyra e vetme për të siguruar shumicën prej dy të tretash në parlament për të ndryshuar emrin e vendit do të ishte nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga socialdemokratët e tij, SDSM, dhe mbështetësit e tij në partitë e vogla ka mbështetjen e 71 prej 120 deputetëve në sallë. Zaev tani ka nevojë për mbështetjen e nëntë deputetëve të tjerë nga radhët e opozitës.

Të enjten, ai konfirmoi se do t’i jepte hapësirë deputetëve të tij në parlament në përpjekje për të bindur kolegët e tyre të opozitës që të ndryshonin mendje.

Por ai tha se një takim i drejtpërdrejtë midis tij dhe liderit të opozitës Mickoski mund të jetë kundër-produktiv tani.

“Nëse provoj ndonjë gjë me Mickoskin, kjo thjesht do të na largojë më shumë në pikëpamjet tona dhe nuk do të arrijmë një zgjidhje. Kjo është puna e ligjvënësve dhe ata duhet vërtet të flasin,” tha ai.

“Do të kem gjithashtu disa takime personale me disa deputetët. Ky duhet të jetë një proces i qetë, në mënyrë që ne rë mund të arrijmë qëllimin tonë për të parë Maqedoninë më në fund të ketë shansin e papërsëritshëm për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE,” tha Zaev .

Ndërkohë, lidershipi i VMRO DPMNE në Maqedoni u mblodh të mërkurën dhe vendosi të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit 100 ditë para zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, si dhe formimin e një qeverie të përbashkët të të gjitha palëve për të siguruar rregullsinë e tyre.

Ata gjithashtu kërkuan emërimin e një kryeprokurori të ri dhe formimin e një komisioni që do të hetonte çdo parregullsi të dyshuar gjatë referendumit.

Zaev i hodhi poshtë këto kërkesa si “absolutisht të papranueshme. Nuk ka arsye për të folur për gjëra të tilla,” tha ai.

Analisti politik Albert Musliu tha se kishte ende një shans për një zgjidhje që do të përjashtonte humbjen e kohës me zgjedhje të parakohshme. Ai tha se qëndrimet e vijës së ashpër të të dy kampeve ishin thjesht pozicionet e tyre fillestare përpara bisedimeve.

Megjithatë, “nëse bëhet e qartë nga e mërkura e ardhshme se një marrëveshje në parlament nuk është e mundur, opsioni tjetër do të jetë zgjedhje të parakohshme,” pranoi Musliu.

Qeveria e Zaevit e ka me nxitim. Nëse bisedimet ndërpartiake dështojnë, Social Demokratët duhet të lajmërojnë zgjedhjet deri më 10 tetor për një datë votimi më 25 nëntor.

Vetëm atëherë një shumicë e re parlamentare do të ketë kohë të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, siç shpreson Zaevi, deri në shkurt ose mars, përpara se Greqia të hyjë në sezonin e vet elektoral.

Ratifikimi në parlamentin grek është hapi i fundit, por mund të llogaritet vetëm nën qeverinë aktuale të krahut të majtë.

Çdo vonesë përtej zgjedhjeve në Greqi të vitit 2019 mund t’i japë fund të gjithë marrëveshjes dhe bashkë me të edhe shpresave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.