Debat Pernime, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

Partitë dhe Vijat e Tyre të ‘Kuqe’ për Balotazh

Përfaqësues të Vetëvendosjes, LDK-së dhe AAK-së kanë folur për KALLXO.com për mundësitë që po shqyrtojnë për të hyjnë në koalicione me partitë që nuk janë në balotazh, në ato komuna ku këto parti garojnë në raundin e dytë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se kjo parti ende nuk ka vendim të prerë për koalicionet e mundshme para balotazhit, ngase për ketë vendos Këshilli i Përgjithshëm.

Por kur foli për garën për kryeqytetin në të cilën Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes përballet me Arban Abrashin e LDK-së, Haxhiu tha se partia e saj duhet të ketë bashkëpunim me AKR-në, parti me të cilën bashkëpunoi gjatë mandatit që po përfundon.

“Unë në parim, mund ta them vetëm mendimin tim, duhet të ketë një bashkëpunim, sidomos me përfaqësuesit e AKR-së në Komunën e Prishtinës dhe sigurisht që kjo duhet të bëhet edhe në kuadër të përputhjeve programore që i kanë dy subjektet politike”, tha Haxhiu për KALLXO.com

Për bashkëpunim me AKR-në, e cila ka marrë mbi 10% të votave në kryeqytet, e interesuar është edhe LDK-ja, e cila në zgjedhjet qendrore ishte në koalicion parazgjedhor.

Deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani tha se sa u përket koalicioneve formale, deri tash LDK është e prerë se nuk do të ketë me PDK-në, por një të tillë nuk e përjashtoi një koalicion me AKR-në në kryeqytet.

“AKR ka qenë parti që ne edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale, por edhe lokale vazhdimisht kemi bashkëpunuar, kështu që unë nuk shoh ndonjë pengesë, mirëpo besoj që edhe kandidati jonë z. Abrashi do të ketë mundësi që të kontaktoj dhe të ulen bashkërisht me kandidatin që është nga AKR që të shikojnë se si mund të përshtaten programet e tyre”, tha Osmani.

Ndërsa AAK ka ndërmarrë një qasje më të decentralizuar. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se kanë autorizuar kandidatët e tyre që janë në balotazh të nisin bisedimet me partnerët e mundshëm.

“Veç e kemi një orientim që kandidatët për kryetar të komunave janë të autorizuar që t’i bëjnë bisedimet me partnerët politik që mendojnë që duhet të fitojnë dhe bashke qeverisin, njëkohësisht në konsultim me nivelin qendror do të bëhen koalicionet e mundshme”, tha Isufi.

KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje nga PDK rreth koalicioneve të mundshme të kësaj partie në garën e balotazhit që do të mbahet më 19 nëntor.