Lulzim Basha - Foto: Facebook

Partia Demokratike tërheq deputetët nga Kuvendi i Shqipërisë

Partia Demokratike njoftoi tërheqjen e deputetëve të saj nga Kuvendi i Shqipërisë si një masë përshkallëzuese e protestës ndaj qeverisë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën, Basha deklaroi: “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi unanimisht djegien e mandateve në kuvendin e dalë nga votat e krimit dhe të mafias në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017”.

Basha e konsideroi vendin në “gjendje të emergjencës kombëtare” për shkak të asaj që e quajti “kapje të qeverisë në flagrancë duke vjedhur votat”. Ai nuk dha detaje se si do të realizohet në praktikë kjo “djegie mandatesh”.

Demokracia e re shqiptare ka parë në mënyrë të përsëritur raste të bojkotimit të punimeve të kuvendit nga ana e opozitave të ndryshme përgjatë tre dekadave të fundit, bojkote që janë kritikuar nga ndërkombëtarët, por “djegia” e mandateve është një term i ri.

Basha shpalli fillimisht dëshirën për të djegur mandatet të dielën, pas një proteste masive të organizuar nga partia e tij të shtunën në Tiranë, ku pati skena dhune ndaj selisë së kryeministrit si dhe gaz lotsjellës të hedhur nga policia për shpërndarjen e protestuesve. (reporter.al)