Parlamenti Studentor reagon për ‘ngërrçin’ në menaxhimin e Universitetit të Prizrenit

Mbetja pezull e pozitës së rektorit dhe akuzat për ndikime politike në Universitetin e Prizrenit kanë shkaktuar pakënaqësi te studentët.

Parlamenti Studentor i universitetit ‘Ukshin Hoti’, doli me një reagim lidhur me problemet për zgjedhjen e rektorit.

Ditë më parë, Gjykata Themelore e Prizrenit mori vendim që të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, rektori të cilit m mandati i të cilit përfundoi më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.

Këtë aktvendim, i siguruar nga KALLXO.com, e konfirmoi kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, i cili tha se do ta respektojnë vendimin dhe se do të zgjedhin një ushtrues detyre të rektorit deri në përfundimin e procedurave.

Ai megjithatë nuk mohoi mundësinë që si ushtrues detyre të zgjidhet vetë Ismet Temaj.

Lidhur me këtë, Parlamenti Studentor ka reaguar duke e quajtur të jashtëligjshme.

Studentët i kanë përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit në Universitet. Duke filluar nga vendimet e kundërligjshme të përfunduara në Gjykatë, të qenurit lajm i portaleve dhe më skandalozja të qenit vend që pothuajse çdo ditë vizitohet nga Policia. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një Universitet të shndërrohet në një gjendje të tillë nga misionarë të politikës. Sot jemi në ditën e dytë që Universiteti “Ukshin Hoti” po e kalon pa Rektor e kjo nënkupton që një student i diplomuar sot nuk mund ta marrë diplomën e tij sepse nuk ka kush e nënshkruan atë. Kujt ja kemi borxh ne studentët këtë gjë? ”, thuhet në reagim.

Ata shtuan se “Kur tashmë e kemi një vendim të Gjykatës për pezullimin e vendimit për zgjedhjen e Rektorit, anëtarët e Këshillit Drejtues duke synuar që të zgjedhin ushtruesin e detyrës së Rektorit në mënyrë të dhunshme, po e shkatërrojnë stabilitetin dhe funksionimin normal të Universitetit. Ne ju bëjmë me dije që kandidatët që janë në proces gjyqësor nuk munden asesi të lakohen si emra për ushtrues detyre të pozitës së Rektorit dhe ju lusim t’i leni anash inatet politike dhe ta nxirrni Universitetin nga ky ngërrq sepse studentët janë ata që më së shumti po pësojnë”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me problemet me zgjedhjen e rektorit në UPZ.

Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit

Zgjedhja problematike e Rektorit të Universitetit të Prizrenit