BREXIt - Foto: REL

Parlamenti britanik kundërshton një referendum të ri për BREXIT-in

Parlamenti britanik ka votuar kundër mbajtjes së një referendum të ri për Brexit-it. Ligjvënësit kundërshtuan mocionin me 334 vota kundër dhe 85 për.

Ky votim nuk i pengon ligjvënësit që në një periudhë të ardhshme, sërish të fitojnë mbështetjen e Parlamentit për një referendum të dytë të Brexit-it, raporton Associated Press.

Parlamenti britanik po mban një sërë votimesh të enjten nëse do të shtyjë largimin e Britanisë nga blloku 28-vendësh, i cili aktualisht është planifikuar për më 29 mars.

Procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja ka hyrë në një periudhë të paqartësisë së madhe pasi Parlamenti britanik rrëzoi dy marrëveshje që parashihnin modalitetet e daljes së vendit nga BE-së.

Marrëveshjet ishin arritur përmes negociatave të Qeverisë britanike të udhëhequr nga Theresa May dhe udhëheqësve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë të mërkurën, ligjvënësit britanikë kanë votuar kundër largimit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje paraprake.

Me 321 vota për dhe 278 kundër ata i kanë bërë thirrje Qeverisë Britanike që të përjashtojë mundësinë e një Brexiti pa marrëveshje. (REL)