Paria e ‘Termokos’-it qeras veten me mijëra euro (Dokument)

Hiç më pak se 25 mijë euro kanë marrë krerët e ndërmarrjes ‘Termokos’ në emër të “stimulimit të performancës vjetore”.

KALLXO.com e posedon vendimin e datës 17 prill të vitit të kaluar për ndarjen e mijëra eurove për parinë e ndërmarrjes.

Vendimi mban nënshkrimin e anëtarëve të bordit, Hysni Kuka, Florim Shefqeti dhe Kujtim Krasniqi.

Shuma që është ndarë për Shefin Ekzekutiv dhe Bordin e Drejtorëve arrin shifrën e 25 mijë e 372 eurove.

Nga ky vendim i “Termokos”, më së shumti u shpërblye Naser Canolli, Kryeshef Ekzekutiv, me 7 mijë e 920 euro.

Ndërsa, Kryesuesi i Bordit, Bekim Jakupi, u shpërblye me 3 mijë euro.

Sipas vendimit, anëtari i Bordit, Hysni Kuka, përfitoi 2 mijë e 940 euro, aq sa mori edhe Florim Shefqeti.

Anëtari tjetër i Bordit, Kujtim Krasniqi, mori 2 mijë e 392 euro.

Zyrtari kryesor i financave dhe i thesarit në “Termokos”, Raif Vitija, mori 4 mijë e 140 euro, ndërsa auditorja e brendshme e kësaj ndërmarrjeje, Albulena Gashi, u shpërblye me 2 mijë e 40 euro.