Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Parashkrime në gjykimin për krim të organizuar që nuk u mbajt që nga viti 2013

Në gjykimin ku 4 persona po akuzohen për krim të organizuar lidhur me kontrabandim me migrantë dhe 5 të tjerë për të njëjtën vepër në tentativë, të gjithë janë deklaruar të pafajshëm përballë akuzave të Prokurorisë.

Përveç tyre, pjesë e gjykimit është edhe një e akuzuar për marrje ryshfeti.

Kjo aktakuzë është ngritur në gusht të vitit 2013.

Që nga atëherë e deri më sot është mbajtur vetëm një seancë, në shtator të vitit 2013, para një tjetër trupi gjykues.

Në seancën e sotme të kryesuar nga gjykatësi Arben Hoti, u lexua aktakuza dhe të akuzuarit u pyetën nëse ndihen apo jo fajtorë.

Që të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, me ç‘ rast edhe u procedua me fjalën hyrëse.

Prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu i bëri disa kualifikime juridike në aktakuzën e përpiluar nga prokurori Besim Kelmendi.

Tutje, ajo tha se do të vërtetohet gjendja faktike në veçanti nga masat e fshehta teknike të vëzhgimit, si dhe dëshmive të shumta të shumë dëshmitarëve, me ç‘rast edhe do të vërtetohet teza e aktakuzës.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tyre hyrëse avokatët mbrojtës patën ankesa të ndryshme lidhur me këtë aktakuzë.

Duke filluar nga ajo se një aktakuzë e tillë nuk është e bazuar në prova, e deri në pretendimet e tyre se disa nga të akuzuarit as nuk janë njohur me njëri- tjetrin e në anën tjetër ngarkohen me vepër penale të krimit të organizuar.

Avokati i Albert Bulliqit, Asdren Hoxha, tha se i mbrojturi i tij në pikën e aktakuzës ku ngarkohet për armëmbajtje pa leje, Prokuroria duhet të heqë dorë meqenëse kjo vepër penale i nënshtrohet Ligjit të Amnistisë.

“Ngelem pranë heqjes dorë nga aktakuza në pikën 5 në drejtim të veprës penale ashtu siç ka vepruar prokurori paraprak”, tha më pas prokurorja Fejzullahu.

Po ashtu avokatja e Bratislav Dasiq, Sabrije Krasniqi, tha se për pikën e 6 të aktakuzës ku Dasiq ngarkohet me veprën penale dhënia e kundërligjshme e ndihmës juridike ka arritur parashkrimi absolut, me arsyetimin se dënimi për këtë vepër është paraparë të jetë maksimalisht 1 vit, e deri ë tani kanë kaluar mbi 4 vjet.

Avokati i Arife Loxhajt, Faruk Korenica, tha se vepra penale e marrjes së ryshfetit për të cilën ngarkohet Loxhaj ka arritur parashkrimin relativ.

“Seanca e parë është mbajtur në shtator 2013, seanca e dytë më 4 qershor 2018, vepra penale me të cilën ngarkohet e mbrojtura ime parasheh dënimin deri në 3 vjet burg. Konform ligjit është paraparë që nëse nuk ndërmerret diçka në ndërkohë vjen tek parashkrimi relativ. Ju lus që të merrni një aktgjykim refuzues sepse ka arritur tek parashkrimi relativ”, tha avokati Korenica.

Ndërkaq, avokati i Xhavit Fejzullahut, Ahmet Ahmeti, si dhe avokati i Bashkim Hasanit, Mahmut Halimi, kërkuan që kompetencën lëndore ta marrë Mitrovica.

Pas fjalës hyrëse të avokatëve, në pyetje u mor dëshmitari Hysni Sejdiu.

Sejdiu deklaroi se nga të akuzuarit e njeh vetëm Avdyl Kastratin, pasi që është kushëri i dhëndrit dhe tek i njëjti ka rregulluar veturën.

Lidhur me të akuzuarin Kastrati tha se ai ka qenë mekanik.

I pyetur se a ka qenë ndonjëherë jashtë shtetit të Kosovës, i njëjti tha se ka qenë në Zvicër në mënyrë ilegale.

Më pas i njëjti u mor në pyetje për një bisedë të zhvilluar në mes tij dhe të akuzuarit Kastrati ku përmenden disa shuma të të hollave, duke aluduar se bëhet fjalë për nxjerrjen e pasaportës.

I njëjti tha se nuk i kujtohet.

Seanca e radhës u caktua më 26 korrik.

Në këtë proces gjyqësor Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Haki Maloku dhe Denis Sadriaj akuzohen për dy vepra penale të krimit të organizuar lidhur me kontrabandim me migrantë.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, të akuzuarit nga muaji qershor i vitit 2011 e deri më 5 shkurt 2013 duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i kanë gjetur migrantët që kanë qenë të interesuar të shkojnë në vende të ndryshme të Europës.

Sipas kësaj pike, ata më pas janë marrë vesh për çmimin që duhej të paguanin migrantët, i cili çmim ishte në shumë deri në 3.000 euro për person dhe pastaj migrantët, ku pastaj në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kanë dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vendet të ndryshme të Europës.

Ndërkaq, pika e dytë e aktakuzës e cila i ngarkon me veprën penale krim i organizuar në tentativë lidhur me kontrabandim me migrantë në tentativë, përveç tyre, përfshin edhe pesë të akuzuar tjerë, Albert Bulliqin, Bekim Zeqirin, Bratislav Dasiqin, Bashkim Hasanin dhe Xhavit Fejzullahun.

Në këtë gjykim, ngarkohet edhe Arife Loxhaj me veprën penale të marrjes së ryshfetit, pasi që sipas Prokurorisë, që nga data e pavërtetuar e deri më datën 6 shkurt 2013 duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, si zyrtare për letërnjoftime dhe pasaporta në MPB në Mitrovicë, ka marrë para për vete dhe të akuzuarin Bashkim Hasani si dhe ka pranuar premtimin për dhënie të parave nga i akuzuari Bashkim Hasani për të kryer në kuadër të autorizimeve të saj veprime zyrtare apo veprime tjera të cilin ajo nuk duhet t’i kryente.

Sipas Prokurorisë, pasi ishte marrë vesh me të akuzuarin Bashkim Hasani, personave të ndryshëm u ka rregulluar dokumentacione të ndryshme, me ç‘ rast edhe ka pranuar para për vete deri në 400 euro për një rast, si dhe i ka mundësuar përfitim financiar të akuzuarit Bashkim Hasani po ashtu deri në 400 euro për një rast.

Pra, sipas aktakuzës, Bashkim Hasani përveç krimit të organizuar në tentativë, në pikën katër të aktakuzës ngarkohet edhe për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Përveç krimit të organizuar në tentativë edhe Albert Bulliqi ngarkohet  edhe me një vepër tjetër penale në pikën pesë të aktakuzës, me atë të mbajtjes në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria pretendon se të njëjtit i janë gjetur Kallashnikovë së bashku me qindra fishekë.

Pika e fundit e aktakuzës ngarkon të akuzuarin Bratislav Dasiq me veprën penale të dhënies së kundërligjshme të ndihmës juridike, me arsyetimin se u ka dhënë ndihmë juridike pa autorizim disa personave, të cilëve u ka rregulluar dokumentacione dhe i ka përfaqësuar para organeve të Serbisë, duke u kërkuar pagesë deri në 1.200- 3.000 euro, për të nxjerrë në emrin e tyre dokumente si certifikata të lindjes, letërnjoftime, pasaporta apo dokumente për marrjen e nënshtetësisë së Serbisë.

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF