Takimi i zyrtarëve të AKK-së me nxënës të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Parandalimi i Korrupsionit me Anë të Edukimit

Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit që sot hapën dyert e  institucionit ku punojnë për nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës thanë se edukimi anti-korrupsion më së miri e parandalon këtë dukuri.

Zyrtarët e agjencisë bashkëbiseduan me nxënësit në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit.

“Ne po ashtu e kemi edhe departamentin e edukimit, përmes luftimit ne mund ta dënojmë një individ, por me edukim ku përfshiheni edhe ju mund ta parandalojmë korrupsionin si shoqëri dhe efekti është me i madh”, u tha nxënësve Esad Ejupi nga Departamenti i Parandalimit të Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Nxënësit dhe zyrtarët e AKK-së biseduan për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, hetimin e korrupsionit dhe parandalimin e korrupsionit në prokurim publik.

Gani Nikçi nga Departamenti i Luftimit të Korrupsionit në AKK i porositi nxënësit që të kontribuojnë në luftimin e kësaj dukurie duke lajmëruar dhe iniciuar rastet ne AKK.

“Agjencia po ashtu e ka një numër pa pagesë ku qytetarët munden me lajmëru për të iniciuar një rast, edhe ju nëse keni ndonjë rast lajmëroni”, tha Nikçi.

Nxënësit u njoftuan se Agjencia Kundër Korrupsionit është krijuar në vitin 2006, ndërsa në të punojnë 40 persona.

Zyrtarët e AKK-së u treguan nxënësve se kur kanë prova të mjaftueshme për ndonjë zyrtar që dyshohet se është përfshirë në korrupsion, kallëzimin penal e dërgojnë në prokurori.

Java Kundër Korrupsionit nisi dje.