Lumbardhi në Deçan

Paralajmërohet Komision Hetimor për hidrocentralet pa leje në Deçan

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtar i Komisionit Parlametar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Liburn Aliu, ka paralajmëruar inicimin e formimit të një Komisioni Hetimor Parlametar për hidrocentralet e paligjshme të kompanisë “KelKos Energy”.

Këtë ai e tha gjatë protestës së sotme në grykën e Deçanit, ku u protestua nga shoqëria civile dhe qytetarë kundër operimit pa leje të dy hidrocentraleve, “Bellaja” dhe “Deçan”.

Aliu tha se ka bazë për dyshim mbi operimin e hidrocentraleve në këtë anë.

“Kosova ka një plan nga viti 1985, i cili ka qenë plan afat gjatë, për menaxhimin e resurseve ujore dhe në bazë të atij plani, një hidrocentrali si ky nuk parashihet, ne kemi bazë që të dyshojmë mbi mënyrën sesi është dhënë pëlqimi mjedisor, pëlqimi ujor për këtë hidrocentral. Dhe konsiderojmë që është e domosdoshme që sa më shpejt të fillojë një Komision Hetimor që t’i shqyrtojmë të gjitha ato allaborate dhe ato leje mjedisore”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjës, Liburn Aliu.

Ai ka komentuar edhe shtyrjën e afatit prej 90 ditësh që ditë më parë Bordi i ZRrE-së i dha kompanisë “KelKos” për pajisjen me dokumentet e nevojshme, ndnëse kompania nuk e kishte respektuar një afat prej tre muajsh të dhënë nga ZRrE në mars të këtij viti.

Sipas deputetit të Vetëvendosjës, për shkeljet që janë bërë, ka hapësirë për hetim edhe nga Prokuroria e shtetit.

“Unë mendoj që e tërë kjo kohë e punës së këtij hidrocentrali pa leje pune, është shkelje ligjore, dhe kjo shtyrje e këtij afati, vazhdon prapë të jetë shkelje ligjore, unë mendoj që e gjithë kjo duhet të hetohet dhe mendoj që ka hapësirë për prokuroinë”, deklaroi Aliu.

Ditë më parë, Bordi i ZRrE-së aprovoi një kërkesë të kompanisë “KelKos Energy” për operimin e dy hidrocentraleve “Bellaja” dhe “Decan” në këtë anë pa leje edhe për 90 ditë.

https://kallxo.com/foto-protestuesit-pushtojne-gryken-e-decanit-kunder-hidrocentraleve-pa-leje/