FSK-Parakalimi-Kazerma-Adem Jashari-Epopeja_001

Parada e FSK-së për nder të 21 vjetorit të "Epopesë së UÇK-së"

Gjatë ditës së sotme në kazermën ‘Adem Jashari’ Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar një ceremoni për nder të “Epopesë së UÇK-së”.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë  presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i mbrojtës Rrustem Berisha, përfaqësues nga familja Jashari si dhe ministra e zëvendësministra të kabinetit qeveritar.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi u përkujdes që edhe një herë të zotohet për forcimin e raporteve me SHBA-të.

“Sot po shënojmë 21 vjetorin e epopesë së lavdishme të UÇK-së. Epopeja dëshmoi se nuk kishte kthim prapa në luftë tonë për liri dhe çlirim, dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë. Por në të njëjtën ditë kujtojmë edhe  spastrimin etnik, 13 mijë civil, 400 masakra dhe 20 mijë gra të dhunuara. Sot epopenë po e shënojmë me Ushtrinë e Kosovës. Kosova do të anëtarësohet edhe në NATO edhe në organizata ndërkombëtare dhe do ta forcoj bashkëpunimin me SHBA-të”, tha presidenti.

Edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmendi ushtrinë e Kosovës për të cilën tha që nuk do të përdoret kundër popullit as në jug as në veri.

“Vota për ministrinë e mbrojtës, FSK-në dhe shërbimin në këtë forcë e lartësoj edhe më shumë këtë forcë. Sot këtu ri takohen të gjithë brezat e UÇK-së, ushtria e Kosovës nuk duhet të përdoret kundër popullit të Kosovës as në jug e as në Veri por ajo duhet ti shërbej qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari tha që ushtria e re e Kosovës do ta mbrojë territorin ashtu siç e ka mbrojtur UÇK-ja.

“Sot jemi bashkuar këtu me 5 mars para ushtrisë më të re të kombit shqiptar, ushtrisë së Kosovës. Ushtrisë i dëshiroj lumturi që të jenë gjithmonë të gatshëm të mbrojnë vendin siç e mbrojti UÇK-ja”, tha ai.

 

.