Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë | Foto: RTV 21

Paraburgosen Shumica e të Arrestuarve për Dhunën në Kuvend

Ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov i është shqiptuar paraburgimi prej 30 ditëve, aq sa edhe 15 të tjerëve, zyrtarë të Qeverisë së kaluar të VMRO-DPMNE-së, po në mesin e tyre ka edhe aktorë dhe drejtues të shoqatës “Për Maqedoni të Bashkuar”, që protestonin para pushtimit të Kuvendin, të enjten e përgjakshme, siç njihet ndërhyrja e tyre në institucionin ligjvënës.

Disa nga grupi prej 36 të akuzuarve për terrorizim dhe rrezikim të rëndit kushtetues, iu caktua masa e paraburgimit shtëpiak, ndërsa disa të tjerë janë ende të pakapshëm për organet e drejtësisë.

Presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin para opinionit tha se përgjegjësi për dhunën e 27 prill në Kuvend duhet të ketë, por kërkoi nga institucionet të respektojnë ligjet dhe të drejtat e njeriut.

Ai tha se mbështeti iniciativën “Për një Maqedoni të përbashkët”, e cila, siç tha Ivanov, për më shumë se dy muaj shprehu shqetësim për interesat kombëtare.

Kreu i shtetit tha se qytetarët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si një organizatë terroriste duke shprehur shqetësimin për hakmarrje politike që sipas tij mund të destabilizimin politik.

“Me revanshizëm dhe me demonstrim të forcës gjenerohet polarizimi. Bëj thirrje në urtësi dhe përgjegjësi të institucioneve kompetente, të cilat duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet. Qytetarët presin zgjidhje, e jo probleme”, ka deklaruar Ivanov.

Pushtimit të Kuvendit më 27 prill të këtij viti i kishte paraprirë protesta disaditore e një grupi të madh të protestuesve, ithtarë të VMRO-së, të cilët veç tjerash kundërshtonin zgjedhjen e kryetarit shqiptar të Kuvendit, Talat Xhaferi si dhe formimin e Qeverisë mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend, ata besohet të jenë ndihmuar nga së paku tre deputetë të VMRO-së së Nikolla Gruevskit, të cilët kishin hapur dyert e Kuvendit pa u penguar fare nga pjesëtarët e sigurimit të Kuvendit.

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, ishte një nga deputetët që ishte në shënjestër të sulmit të protestuesve që kishin pushtuar Kuvendin për shkak të zgjedhjes së kryetarit shqiptar të Kuvendit, por edhe mosformimit të Qeverisë së re nga VMRO-ja, që sipas tyre, ishte fituese e zgjedhjeve.

Gjatë dhunës së ushtruar në Kuvend, përveç Ziadin Selës, lëndime kishin pësuar edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, tani kryeministër i vendit, si dhe disa deputetë të partisë së tij.