Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Turkut të Dyshuar për Kontrabandim të Imigrantëve

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtetasit turk me inicialet T.B., duke aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë për këtë masë sigurie.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit më 3 prill 2017, në pikën kufitare në Han të Elezit, në rimorkion e kamionit që e drejtonte zyrtarë policorë të Kosovës i kanë gjetur 14 persona, shtetas të Sirisë dhe Afganistanit, të cilët kishin hipur në kamion në Stamboll, ku kishin qenë si refugjatë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrant” nga neni 170 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Masa e paraburgimit për të dyshuarin do të zgjasë nga data e arrestimit më 3 prill deri më 2 maj.