Foto-ilustrim | Njëra nga pikat kufitare të vendit

Paraburgim të dyshuarve që ishin nisur për Zvicër më dokumente të falsifikuara italiane

Gjykata në Gjilan u ka shqiptuar masën e paraburgimit pesë personave që po dyshohen për veprën  kontrabandim me migrant dhe falsifikim të dokumentit.

Sipas njoftimit të Gjykatës në Gjilan ka dyshim të bazuar se i dyshuari me iniciale G.V të premten e javës së kaluar në pikën kufitare Dheu i Bardhë ka tentuar që t’i transportojë me veturën e tij në Zvicër, dy të dyshuarit tjerë me iniciale F.V dhe A.Sh.

Kjo përpjekje sipas njoftimit të Gjykatës ka rezultuar e pasuksesshme pasi që është konstatuar se të njëjtit kishin dokumente të falsifikuara.

Të pandehurit e tjerë me iniciale S.K, G.E, F.V dhe A.Sh, dyshohen që dy ditë para ndalimit, më datë 10 prill 2019 në një qendër tregtare afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kanë ndryshuar dhe përdorur dokumentet e falsifikuara si origjinale.

Kësisoj F.V dhe A.Sh dyshohen se me dije i kanë përdorur dokumentet e falsifikuara italiane të cilat i kishin blerë nga 1300-1500 euro nga i pandehuri G.E, të cilat i kishte siguruar nga i pandehuri tjetër S.K.

Po ashtu, në lidhje me këtë rast, në njoftimin e Gjykatës në Gjilan bëhet e ditur se gjatë bastisjes, të dyshuarit S.K i është gjetur edhe një armë zjarri.

Ndaj këtij vendimit të Gjykatës në Gjilan, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.​