Paraburgim të dyshuarve për përleshjen në Rugovë ku vdiq 50 vjeçari

Gjykata e Pejës ka caktuar 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit e incidentit në malet e Rugovës ku gjeti vdekjen 50 vjeçari, Metë Nikçi.

Viktima u gjet pa shenja jete i shtrirë afër një rruge në Rugovë të Pejës.

Lidhur me rastin ishin arrestuar vëllai i tij, nipi dhe një person tjetër pasi fillimisht ishin dorëzuar në Polici dhe kishin raportuar zhdukjen e familjarit të tyre.

Për zhdukjen e 50 vjeçarit, të dyshuarit kishin raportuar të premten mbrëma ndërsa trupi i pajetë i tij ishte gjetur gjatë ditës së diel.

Për gjetjen e tij u desh të angazhohet edhe pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas prokurorisë A.N, Sh.N dyshohen se i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore 50 vjeçarit.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, konflikti mes familjarëve kishte filluar për një pyll që ishte duke u prerë dhe më pas sipas policisë viktima ishte sulmuar me sëpata nga të afërmit e tij.

Kërkesa e prokurorisë ishte paraqitur në gjykatë para se të gjendej trupi i pajetë i viktimës.

Sipas informacioneve nga Prokuroria e Pejës, rasti tani ka kaluar në Krime të Rënda dhe pritet se si do të cilësohet nga Prokurori.

KALLXO.com, kishte raportuar për gjetjen e trupit të pajetë të Metë Nikçit në Rugovë të Pejës.

https://kallxo.com/peje-gjendet-i-vdekur-personi-qe-dyshohet-se-u-sulmua-nga-familjaret-me-sepate/