Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim të dyshuarve për fshehje të veturës në të cilën u gjetën 113 kg heroinë

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Labinot Zenelit, Selim Çerkës, Enis Qerkës e Gent Selacit.

Ata dyshohen për përfshirje në dhënien e ndihmës personave të cilëve nga Policia e Kosovës u janë gjetur tri valixhe me substanca narkotike që dyshohet të jetë heroinë. Sasia e drogës e kapur nga forcat e rendit të Kosovës është 113 kilogramë.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se këta katër persona u kanë ndihmuar kryesve të kësaj vepre për të fshehur mjetin e kryerjes së veprës penale, një veturë të tipit BMW.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka propozuar caktimin e paraburgimit ndaj këtyre katër personave pasi që sipas prokurores së rastit Bukurie Gjonbalaj, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Labinot Zeneli në bashkëkryerje me Sadik Shalën, Xhemail Shalën, Mehmet Gjinin dhe me persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia në vazhdimësi kanë eksportuar dhe importuar pa autorizim substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo analoge me qëllim të shtijes apo shpërndarjes, kështu që me datë 2 dhjetor 2018 nga pjesëtaret e Policisë u janë gjetur tri valixhe me substanca narkotike në sasinë 113 kg e  507 gramë të llojit heroinë.

Këto vepra të dyshuarit pretendohet se i kanë kryer me një veturë të tipit BMW, veturë e cila thuhet se ka qenë në pronësi të të dyshuarit Labinot Zenelaj.

Kurse të dyshuarit e tjerë Selim Çerka, Enis Qerka e Gent Selaci akuzohen se të dyshuarit të parë Labinot Zenelaj i kanë premtuar se do ta fshehin veturën e tipit BMW, veturë e cila thuhet se ka qenë e futur në sistemin e Policisë për ndalesë, në atë mënyrë që me datën 8 dhjetor të këtij viti të dyshuarit me veturën e lartcekur janë ndalur nga Policia në pikën kufitare Hani i Elezit në dalje për në Republikën e Maqedonisë, të cilën veturë ka qenë duke e drejtuar Selim Çerka.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve tre të dyshuarit e tjerë Selim Çerka, Enis Qerka e Gent Selaci kishin për të kryer veprim kriminal në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale ndihmë e mbetur në tentativë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në kërkesën e Prokurorisë lidhur me caktimin e masës së paraburgimit thuhet se po të lihen në liri të dyshuarit ekziston rreziku se të njëjtit do të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale dhe njëherësh do të mund të asgjësonin provat, ndikonin në njëri-tjetrin apo pengonin rrjedhën normale të hetimeve lidhur me personat e tjerë të cilët tashmë janë në kërkim të policisë.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e kishin kundërshtuar të gjithë të dyshuarit si dhe mbrojtësit e tyre, të cilët Gjykatës i kishin propozuar caktimin e ndonjë mase tjetër alternative, por gjyqtari i procedurës paraprake, Isuf Makolli, pas vlerësimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit po ashtu edhe deklaratave të të pandehurve gjeti se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale dhe zhvillimin e papenguar të procedurës.

Në një bisedë për KALLXO.com, shefi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçi, mohoi se i dyshuari Enis Qerka është shofer i tij.

https://kallxo.com/gani-thaci-flet-perfshirjen-e-shoferit-ne-rrjetin-e-droges/

Ai tha se Qerka ishte shef i Logjistikës në Byronë e Sigurimeve, porse ka punuar edhe si shofer në këtë institucion.