Paraburgim të dyshuarit se hodhi gruan e tij nga dritarja

Gjykata në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për tentim vrasje të bashkëshortes së tij.

I dyshuari me iniciale B.A po dyshohet se më datë 6 maj  në shtëpinë e tij në fshatin Komogllavë – Komuna Ferizaj, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën – bashkëshorten e tij ashtu që pas një mosmarrëveshje të gjatë mes vete, i pandehuri fillimisht ka përdorur dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me shuplaka fytyrës dhe ashtu në përleshje e sipër nga dritarja e dhomës së katit të parë  të shtëpisë e ka hedhur për tokë.

Si rrjedhojë, sipas njoftimit të Gjykatës në Ferizaj e dëmtuara  nga kjo hedhje ka pësuar lëndime trupore e që tani është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjilan.

Sipas njoftimit, Gjyqtari i kësaj çështje paraprake Ibrahim Idrizi e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë si të bazuar konform dispozitave ligjore dhe të dyshuarit i ka caktuar masën e paraburgimit.

Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.