Paraburgim për të Dyshuarin që ka Shpërndarë Drogë

Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M.

Sipas njoftimit kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge.

Të pandehurit M.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji duke filluar prej datës 04.11.2017 deri me datën 04.12.2017.

”Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, pa autorizim ka shpërndarë, shitur dhe transportuar substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, andaj caktimi i masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë të të pandehurit në procedurë penale, sepse nëse i pandehuri do të gjendet në liri, do të ketë mundësi të pengon rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar apo falsifikuar provat e veprës penale”,  bëhet e ditur në komunikatë.

Po ashtu, pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës./21Media