Ndërtesa e AKI-së. Foto: Kallxo.com

Paraburgim për ‘agjentin e rremë’ të AKI-së

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit me iniciale E.J. i cili dyshohet për tre vepra penale, falsifikim i dokumentit, prezantim i rremë dhe spiunazh.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi prokurori i rastit Kujtim Munishi.

“Bëhet fjalë për tri vepra penale, falsifikim dokumenti, prezantim i rremë dhe spiunazh, ndaj të dyshuarit është bërë kërkesa për paraburgim dhe kjo kërkesë është aprovuar nga Gjykata”, tha Munishi.

Munishi po ashtu tha se data e dokumentit që është lëshuar dhe i cili pretendohet të jetë përdorur për t`u paraqitur si pjestar i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës është 19 shkurt 2018.

Prokurori Munishi tha se janë duke hetuar nëse në këtë rast ka edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë.

Munishi nuk dha detaje nëse personi i dyshuar si pjesëtarë i AKI-së  ka realizuar pagë, apo ndonjë përfitim gjatë kohës për të cilën dyshohet.